A1 Report - Vlore, Naço: Instalimi i sistemit audio ne gjykata rrit transparencen

2015-08-21 1

VLORE- Regjistrimi dixhital audio në gjykatat shqiptare tashmë është një realitet i prekshëm. Kjo falë mbështetjes së programit të USAID për forcimin sistemit të drejtësisë në vend, ndërsa në kuadër të kësaj, në qytetin Vlorës u zhvillua Konferenca e Katërt Rajonale e Lidershipit në Gjyqësor.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Cefa, zv. ambasadori amerikan në vendin tonë, Henry Jardinë, si dhe drejtues të gjykatave në rrethe.

Ndërsa vlerësoi implementim e këtij sistemi në gjykatat shqiptare, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, shprehu bindjen së kjo do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga këto institucione.

"Sistemi i regjistrimit audio është sistemi më modern i regjistrimit të seancave gjyqësore, nëpërmjet të cilit do të ruhet e plotë çdo fjalë e thënë në një proces gjyqësor, për t'iu vënë në dispozicion palëve dhe publikut, në çdo kohë, sipas të gjitha standardeve më të mira ndërkombëtare. Ky sistem ndihmon në mbështetjen e gjykimit të drejtë, që bazohet në mënyrë efikase tek aksesi direkt në të dhëna aktuale, dhe jo tek kujtesa e asaj që ka ndodhur gjatë seancës", tha ministri Naço.

Regjistrimi digjital audio deri më tani është instaluar në 24 gjykata dhe 110 salla gjyqi dhe gjithashtu janë trajnuar 295 gjyqtarë dhe i gjithë stafi administrativ i 24 gjykatave në shkallë vendi. Përsa i takon treguesve të seancave gjyqësore, ku procesverbali mbahet me mjete audio, numri në total është 76 263.