Stevo Pendarovski do të jetë kandidati më serioz në Kongresin e LSDM-së për zgjedhjen e kandidatit presidencial. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë profesori Pendarovski, i cili tha se ka pranuar nominimin pas propozimit të emrit të tij, nga shumica e degëve të LSDM-së. Janë nominuar edhe 7 kandidatë të tjerë, por mësohet se kandidatura e Pendarovskit është përkrahur 2 herë më shumë se nga gjithë kandidatët e tjerë.
"Në mesin e emrave të nominuar është edhe Stevo Pendarovski. Të gjithë kandidatët që u nominuan nga ana e komiteteve lokale të LSDM-së janë takuar me kryetarin Zoran Zaev", deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së do t'i konfirmojë sonte kandidaturat të cilat do t'i nënshtrohen votimit në Kongresin Zgjedhor për zgjedhjen e kandidatit presidencial, që është caktuar për më 4 mars. Pendarovski konsiderohet favoriti kryesor i opozitës për shkak të rejtingut të tij personal, që shkon edhe mbi rejtingun partiak, por edhe për shkak se konsiderohet më i pranueshëm se Gjorge Ivanovi për elektoratin shqiptar dhe faktorin ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, LSDM-ja është shprehur e gatshme edhe për zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale më 27 prill, nëse kjo do të jetë rezultati i lojës së partnerëve të koalicionit, siç thonë nga LSDM-ja. Benjamin Arifi