Uollers: Zgjedhje të qeta dhe demokratike

2015-08-21 0

Ambasadori amerikan Pol Uolers ka porositur sot që zgjedhjet e ardhshme presidenciale por edhe ato parlamentare të mundshme, të kalojnë në frymë demokratike dhe të qeta. Ai kërkoi që qytetarëve t'iu mundësohet votim i rehatshëm dhe pa presione.

"Është një kohë interesante për Maqedoninë. Po afrohen zgjedhjet, e dimë sigurt për ato presidenciale në prill, por nga ajo që dëgjoj dhe lexoj duket si një mundësi e madhe, të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Është me rëndësi të dini se kjo do të jetë një test për ju, për Maqedoninë, dhe për të gjithë ju si qytetarë dhe votues të Maqedonisë. Nevojiten zgjedhje të lira dhe trasparente. Duhet të jenë votime të rehatshme dhe pa presione partiake për familjarët, votuesit dhe të jenë të fshehta", tha Pol Uolers, ambasador i SHBA-së.

Uolers tha se beson në kapacitetet e Maqedonisë, për të qenë një shtet i fuqishëm multi-kulturor, demokratik dhe i integruar.

"E di që ka ca njerëz siç thatë ju, mund të jenë pesimist, bazuar në situatën aktuale dhe mënyrën se si qeveria i ka çuar punët në 20 vitet e kaluar. Për ju është gjatë, për mua është një jetë...por gjithnjë duhet ditur se historia është një film i gjatë dhe nëse shihni në histori, gjërat nuk ndryshohen për një ose dy vjet, ajo kërkon kohë më të gjatë", u shpreh Pol Uolers, ambasador i SHBA-së.

Uolers i bëri këto komente gjatë një ligjërate që mbajti sot para studentëve të USHT-së, me temë "Perspektivat për zgjedhjet. Një fushëbetejë me nivele". Bashkim Sulejmani