A1 Report - Atentati ndaj biznesmenit Çeka 32 te shoqeruar ne polici

2015-08-21 1

TIRANE- Policia e Tiranës ka shoqëruar 32 persona brenda 24 orëve për shpërthimin që plagosi dhe gjymtoi 3 persona në rrugën "Pjetër Budi".

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 shkurtit, kur nga shpërthimi i telekomanduar rreth 500 gramëve eksploziv plastik, në lokalin e kompleksit "Grifon" mbetën të plagosur pronari Armand Çeka, truproja e i tij Artur Sharra dhe juristi, Julian Çela.

Nga plagët e rënda mbetën të gjymtuar Çeka dhe Çela, ndërsa Sharra nuk ka marrë dëmtime të parekuperueshme.

Sipas policisë, të shoqëruarit janë persona të cilëve Çeka u detyrohej shuma të konsiderueshme parash në formë borxhi, ku vetëm një personi ai detyrohej rreth 800 mijë euro.

Mes të shoqëruarve janë edhe persona me të cilët Çeka kishte konflikt pasi u kishte shitur të njëjtën hyrje në apartamentet e ndërtuara prej tij, 2 personave të ndryshëm.

Por edhe persona me të cilët Çeka ishte në konflikt pasi u kishte marrë paratë nga shitja e hyrjeve tek pallatet në rrugën "Don Bosko", por nuk kishte përfunduar plotësisht punimet.

Madje edhe kompleksi "Grifon" më shumë shërbente si bazë për qëndrimin e Çekës sesa si lokal apo hotel. Kjo për faktin, se ai u shmangej personave të shumtë që e kërkonin për t'i kthyer paratë apo përfunduar punimet në apartamente.

Policia ka siguruar edhe pamjet e kamerës së sigurisë një biznesi pranë kompleksit Grifon, që mendohet të ketë kapur edhe pamjet e autorëve.

Policia ka kërkuar prej kompanive celulare zbardhjen e tabulateve telefonike të Çekës, pasi dyshohet se ai është thirrur në takim në kompleksion Grifon ku i ishte organizuar edhe antentati.

Ky është rasti i dytë që Çekës i organizohet atentat, pasi në shtator i shpëtoi mrekullisht tentativës për ta eleminuar fizikisht me anë të një shpërthimi në automjetin e tij në rrugën "Siri Kodra".