A1 Report - Romet, Gjermeni: Diskriminohen ne perfitimin e banesave sociale me qira

2015-08-21 3

TIRANE- Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po harton një plan strategjik për strehimin dhe legalizimin e banesave të anëtarëve të komunitetit rom. Shefja e këtij dikasteri, Eglantina Gjermeni solli në vëmendje faktin se komuniteti rom është kategoria më e diskriminuar në përfitimin e banesave sociale me qira. Sipas Gjermenit, jo vetëm që ndiqet një politikë diskriminuese ndaj tyre por shpeshherë ushtrohet dhe dhunë nga vetë zyrtarët.

Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Florian Raunig tha se ligjet duhet të bëhen në përputhje të nevojave të romëve.

"Duhet të krijohen Mekanizma që t'i krijojnë kushte për përmirësimin e jetesës sociale për këtë kategori. Romët dhe egjiptianët në Shqipëri kanë të drejtë të kenë akses të strehohen si dhe këto strehime të legalizohen", tha ambasadori Raunig.

Në vendin tonë janë rreth 15 mijë banorë të kësaj shtrese në 108 vendbanime, kryesisht në zonat rurale të vendit. Ata strehohen në lagjet më të varfra të qytetit jetojnë në sipërfaqe të vogla rreth 2 m katrorë për frymë, pa kushte minimale jetese.