TIRANE-Niveli i borxhit publik që qeveritë kanë marrë në tregun e brendshëm në fund të 2013-s, kapi shifrën më të lartë të 10 viteve të fundit.
Niveli i huamarrjes në sistemin bankar vendas arriti në 46.2 miliardë lekë, nga 52.8 miliardë që ishte planifikuar për gjithë vitin 2013.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i kësaj huaje gati u dyfishua, pasi në vitit 2012 niveli i borxhit të brendshme ishte 24.7 miliardë lekë.
Sipas të dhënave, kjo rritje i faturohet faktin se, 2013-ta ishte një vit elektoral dhe investimet publike njohën rritje të dukshme.
Vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm, kjo e ndikuar nga interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare.
Rritja e tavanit të borxhit publik nga qeveria shqiptare, nuk është parë me sy të mirë nga institucionet financiare ndërkombëtare si, FMN-ja apo BB-ja, të cilët janë shprehur skeptikë për heqjen me ligj të tavanit prej 60%.
Në fund të vitit 2012, Kuvendi miratoi heqjen e kufirit të borxhit publik prej 60%, ndërsa në fund të vitit 2013, niveli i tij kaloi 63.8% të PBB.