A1 Report - Bojktoi i Opozitës? Gaiani: Dialogu te behet ne Parlament

2015-08-21 1

SHKODER- Dialogu në mes pozitës dhe opozitës duhet të bëhët në Parlament pasi ai është vendi ku diskutohet për fatet e vendit.

Ka qënë kjo deklarata e ambasadorit Italian Masimo Gaiani pas prezantimit të konsullit të nderit në qytetin e Shkodrës, i pyetur në lidhje me paralajmërimet e opozitës për bojkot të Kuvendit.

"Ne jemi për dialogun në mes të gjitha forcave politike, Parlamenti është vendi ku dialogu duhet zhvilluar kështu që ne presim që të gjitha forcat politike të gjejnë një zgjidhje normale në mes kundërshtive që janë mes mazhorancës dhe opozitës, dhe ta vazhdojnë këtë dialog, i cili është mjaft i rëndësishëm në rrugën evropiane të Shqipërisë. Ne nga ana jonë do bëjmë të pamundërën për ta favorizuar këtë dialog."- tha ambasadori

Ambasadori Gaiani është ndalur edhe tek reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

"Angazhimi për kryerjen e reformave është shumë i madh dhe po monitorohet në mënyrë konstante nga Këshilli i Europës, gjithashtu qeveria shqiptare do të paraqesë edhe një raport mbi atë se çfarë po bën. Ne urojmë që kjo të vlerësohet mirë nga ana e KE- së që është organi teknik për të bërë këtë verifikim."

Ambasadori Gaiani shpreson në marrjen e statusit në Qershor, dhe thotë se ka edhe një porosi për vendin tonë.

"Përjashtoj dhe s'dua të mendojë për një tjetër Jo ndaj Shqipërisë. E dyta të gjitha reformat që kërkon BE- ja janë reforma që ndikojnë në zhvillimin e vendit, prandaj vazhdoni në rrugën e reformave, pavarësisht një "po"- je apo një "jo"- je, 6 muaj para apo 6 muaj prapa. E rëndësishme është që Shqipëria të vazhdojë në rrugën pozitive që ka bërë të arrijë rezultate të rëndësishme, por duhet të vazhdojë pasi është diçka konstante që e kërkon edhe Parlamenti Evropian."

Apeli i ambasadorit Gaiani drejtuar klasës politike vjen në një moment kur opozita shqiptare ka kërcenuar me bojkot parlamentit dhe protesta mbarëpopullore.