DURRES- Të rinjtë e qytetit bregdetar të Durrësit, por edhe më gjerë, kanë mundësi për t'u arsimuar në dy degë të reja profesionale, siç janë ajo për kameraman profesionist televiziv, si dhe diagnostikues të automjeteve nëpërmjet IT.
Kjo falë finalizimit më sukses të projektit "DELMVET" (Zhvillimi i një modeli menaxhimi eficent lokal të arsimit dhe formimit profesional), projekt me vlerë 1 milion e 363 mijë euro që Këshilli i Qarkut Durrës e fitoi pas aplikimit në Bashkimin e Europian.
Produkti i projektit është çelja e 2 klasave me profile të arsimimit dhe formimit profesional në shkollën "Beqir Çela" me afat 1-vjeçar, përgatitja e një "data-base" mbi ofruesit e arsimit profesional për Rajonin e Adriatikut, ngritja e një webi portal për arsimin profesional për këtë rajon, si dhe hartimi i një studim fizibiliteti për model pilot të zhvillimit të arsimit profesional në të gjithë vendin.
Në kuadër të këtij projekti në ambientet e Këshillit të Qarkut u organizua një konferencë, ku e pranishme ishte edhe ministrja e integrimit, Klajda Gjosha, që u ndal tek rëndësia e arsimit profesional.
Ndërsa kreu i qarkut të Durrësit, Alfred Mullaraj, tha se institucioni që ai drejton do të jetë në sinkron të plotë me objektivin e qeverisë për ta orientuar rininë drejt arsimit profesional si dhe për të krijuar një treg real pune.
Nga ana e saj edhe Zv.Ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e pranishme në takim deklaroi mbështetjen që dikasteri i saj do t'i japë zhvillimit të arsimit profesional.