Valsi i Shtrausit me Eno Peçin dhe Greta Hushin është performuar mbrëmë në Hotel Sheraton, Tiranqë. Eno Peçi e ka kërcyer këtë vals në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar. Kjo është një vepër që mbahet si kulm i elitarizmit europian. Balerini shqiptar është njëri nga solistët kryesorë të Operës vjeneze. Tashmë imazhi i tij është bërë i pazëvendësueshëm me shfaqjen më të famshme në çdo fillimviti në Teatrin e Operës Shtetërore të kryeqytetit austriak. Mbrëmë me rastin e 15-vjetorit të kompanisë SIGAL, balerini Eno Peçi ka performuar Valsin e Shtrausit. Balerina shqiptare Greta Hushi e ndiqte me zhdërvjelltësi dhe ndihej në formë, falë xhentilesës së tij. Megjithëse e kërcen këtë vals me dhjetëra herë, Eno Peçi i jep në çdo rast ndjenjë e ngrohtësi. Mbrëmë balerini Peçi ka performuar para një audience shumë të gjerë, ku spektatorë ishin politikanë, biznesmenë, njerëz të artit dhe kulturës, etj. Performanca e balerinit Peçi u ndoq më pas nga zëri i tenorit i shquar Josif Gjipali dhe klarinetisti Fatos Qerimi. Eno Peçi shprehet se dëshiron të jap shfaqje në Shqipëri, por ai ka mjaft projekte që e presin në Operën Shtetërore e Vjenës, e cila ka zgjedhur të ketë si solist në trupën e saj djaloshin shqiptar. Në një intervistë për Shqiptarja.com Eno Peçi ka rrëfyer shkurt detaje nga karriera dhe jeta e tij personale. Në Vjenë, ju keni vite që kontribuoni. A mund të na përshkruani pak si arritët deri atje?
Unë shkova në Vjenë për shkak të trazirave të viteve 1997-1998. Nisi një kapitull i ri i jetës sime. Me vështirësi dhe përgjegjësi profesionale nisa të studioja dhe të merrja një bazë të fortë në shkollën e baletit të Vjenës duke projektuar dalëngadalë të ardhmen time si profesionist...(Hesht)
Meqë ju e keni të vështirë të flisni gjithnjë për karrierën tuaj, a mund të na thoni të rejat për jetën tuaj personale?
Po. Unë jam bërë baba. Prej vitesh bashkëjetoj dhe kam një vajzë me solisten austriake Dagmar Kronberger. Vajza quhet Lea dhe ajo më bën të ndihem shumë i lumtur.
Pse ju kanë munguar shfaqjet në Tiranë, ku nuk ju mungon dëshira, cila është arsyeja?
Në të vërtetë unë jam gjithmonë shumë i zënë me projekte, por edhe nuk kam pasur ndonjë ofertë. Unë jo më parë, por vetëm gjatë kësaj periudhe kam nisur bisedimet me drejtorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, Ilir Kernin, por ende nuk kemi vendosur një temë konkrete se cili do të jetë bashkëpunimi i radhës.
Sa dhe si e keni njohur Ilir Kernin?
E kam adhuruar që i vogël. Unë për shumë gjëra merrja shembullin e tij dhe tani jemi miq. Për mua është nder që të kem një mik si Kerni, sepse është nga balerinët më të suksesshëm shqiptarë dhe mbi të gjitha një njeri i rrallë.