Përurohet rruga e re Haraçinë-Nakushtak-Ropalcë, rrugë kjo e cila është pjesë e projektit për lidhjen e komunës së Haraçinës mes atë të Likovës e paraparë të realizohet në tri faza. Pas përfundimit të fazës së parë kanë nisur tashmë punimet për realizimin edhe të pjesë së mbetur. Rruga e përuruar sot është në gjatësi prej 15 kilometrave dhe për ndërtimin e saj janë shpenzuar 2 milion e 600 mijë euro, para këto të ndarë nga buxheti i shtetit.
"Me këtë rast ne promovojmë fazën e parë të rrugës e cila ka përfunduar, nga këtu nga Haraçina deri në Ropalcë. Një pjesë nga Likova deri në Orizarë vazhdojnë punimet dhe presim fazën e tretë e cila besojmë që diku kah vera do të përmbyllen të gjitha procedurat që të shpallet thirrje publike për ndërtimin edhe të asaj pjese nga Ropalca deri në Matejç", deklaroi Musa Xhaferi, Zv/kryeministër.
"Kjo fazë e cila sot është lëshuar në përdorim ka gjatësinë e diku 15 kilometra dhe kosto prej 157milion denarë apo mbi 2 milion e 600 mijë euro. Një fazë më veçse ka filluar të punohet nga fshati Likovë deri në fshatin Orizarë, kostoja e këtij aksi rrugorë do të jerë mbi 74 milion denarë apo 1 milion e 200 mijë euro. Gjatë këtij viti presim që të nënshkruhet kontrata edhe për pjesën prej fshatit Ropalcë deri në fshatin Likovë", tha Xhelal Bajrami, Zv/ministër i transportit dhe lidhjeve.
E tërë rruga në gjatësi prej 27 kilometra do të realizohet në tre faza dhe do të kushtojë mbi 5 milion euro. Në përurimin e sotëm morën pjesë edhe drejtuesit e pushtetit lokal sipas të cilëve kjo rrugë ka rëndësi të madhe si për lëvizjen e banorëve ashtu edhe për zhvillimin e zonës. Ferikan Iljazi