A1 Report - Nga Mati ne Tirane me 4 kallepe dinamit ne trup, arrestohet

2015-08-21 3

TIRANE- Një 50 vjeçar është arrestuar paraditen e sotme pasi u kap me 4 kallëpe dinamiti në brez. Gëzim Allushi kishte udhëtuar nga Mati dhe u arrestua në qendër të Kamëz nga forcat e Komisariatit numër 5.

Allushi kishte udhëtuar nga Mati në drejtim të Tiranës, ndërsa kallëpet e dinamitit ishin fshehur poshtë rrobave.

"Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë mbi vendodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në ambientet e një lokali ku po qëndronte shtetasi i lartëpërmendur, iu gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit)."- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

50 vjeçari fillimisht u dërgua në ambientet e komisariatit nr 5 ku dhe u mor në pyetje dhe më pas u dërgua në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ai është munduar të justifikohet me faktin se eksplozivin e kishte prej vitit 1997, dhe se e kishte marrë nga depot e hapura në vitin e mbrapshtë të rrëmujave.

Policia ka nisur kontrolle në banesën e Allushit në Mat si dhe ka nisur shoqërimin e të afërmve për marrjen në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Burimet policore thanë se ishte e paqartë nëse Allushi e kishte maskuar eksplozivin me peshë rreth 1 kilogramë për ta shitur apo kishte për qëllim kryerjen e ndonjë akti terrorist me të.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Më datë 25 Shkurt 2014 nga Komisariati i Policisë Nr.5 Tiranë, në qëndër Kamëz, u bë e mundur kapja e shtetasit Gëzim Allushi, 50 vjeç, banues në Kamëz Tiranë. Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë mbi vendodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse.

Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në ambjentet e një lokali ku po qëndronte shtetasi i lartëpërmendur, ju gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit). Aktualisht strukturat e policisë po hetojnë për të zbuluar origjinën dhe destinacionin përfundimtar të kësaj lënde eksplozive.
Materiali proçedurial do t'i referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.