A1 Report - Ministri Naço: KLD mohoi ate qe ligji i jep te drejte Ina Rames

2015-08-21 0

Një ditë pas rrëzimit të kërkesës s ëish kryeprokurores Ina Rama për tu rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ministri i Drejtësisë Nasip Naço deklaron se KLD-ja është ajo që ka përgjegjësi për këtë votim dhe për faktin pse i bënë mbledhjet me dyer të mbyllura.

Për Naçon votimi ka kaluar me shumicë votash, paçka se ligji e parashikon se znj. Rama duhet të rikthehet në detyrë pa konkurim dhe pa pritur më shumë se një vit që KLD-ja të shqyrtonte kërkesën e saj.

"Kam propozuar që çështja të futet në rend të ditës. Kërkesa zvarritet prej një viti. Sipas ligjit Prokurori i Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin e Prokurorit në Prokurorinë e Pergjithshme ose në vendin e mëparshëm apo një vend të barazvlefshmëm me vendin e mëparshëm. Ligji flet qartë për ata që duan ta lexojnë qartë. Problemi qendron te KLD që vendos t'i bëjë mbledhjet me dyer të mbyllura."- tha Naço në një prononcim për median pas Komisionit të Ligjeve ku u diskutua "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve" të ndryshuar".

Me një votim të fshehtë, që ka përfunduar me rezultatin 8 me 4, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rëzuar kërkesën e ish-kryeprokurores Ina Rama, për rikthim në punë.
KLD propozuan që të venë në "provë" ish-kryeprokuroren Rama, pasi sipas KLD për t'u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t'i nënshtrohet procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë.
Ina Rama ka një karrierë 7 vjeçare në rradhët e gjyqësorit shqiptar, dhe 5 vjet në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.