TIRANE- Një 50 vjeçar është arrestuar paraditen e sotme pasi u kap me 4 kallëpe dinamiti në brez. Gëzim Allushi kishte udhëtuar nga Mati dhe u arrestua në qendër të Kamëz nga forcat e Komisariatit numër 5.
Allushi kishte udhëtuar nga Mati në drejtim të Tiranës, ndërsa kallëpet e dinamitit ishin fshehur poshtë rrobave.
"Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë mbi vendodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në ambientet e një lokali ku po qëndronte shtetasi i lartëpërmendur, iu gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit)."- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
50 vjeçari fillimisht u dërgua në ambientet e komisariatit nr 5 ku dhe u mor në pyetje dhe më pas u dërgua në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ai është munduar të justifikohet me faktin se eksplozivin e kishte prej vitit 1997, dhe se e kishte marrë nga depot e hapura në vitin e mbrapshtë të rrëmujave.
Policia ka nisur kontrolle në banesën e Allushit në Mat si dhe ka nisur shoqërimin e të afërmve për marrjen në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Burimet policore thanë se ishte e paqartë nëse Allushi e kishte maskuar eksplozivin me peshë rreth 1 kilogramë për ta shitur apo kishte për qëllim kryerjen e ndonjë akti terrorist me të.