A1 Report - KLSH denoncon ne prokurori 6 zyrtare te Hipotekes e ALUIZNI-t

2015-08-21 3

TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit dërgon kallëzim penal për 6 zyrtarë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga auditimi që inspektorët kryen në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, u dërgua kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për ish-Regjistruesen me inicialet M.B., juristët E.S., M.M. dhe hartografen me iniciale E.H për shpërdorim detyre, mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sakaq, u denoncua edhe një përgjegjës në Sektorin e Urbanistikës të ALUIZNIT Tiranë dhe L.K. dhe ish-përgjegjësja e sektorit të legalizimit, po të ALUIZNIt Tiranë, për dhënien e dy lejeve të legalizimit, në kundërshtim të plotë me ligjin. Gjithashtu u propozua masa disiplinore "Largim i Menjëhershëm nga Puna" për 3 punonjësit aktualë të kallëzuar penalisht, si dhe "Vërejtje me Paralajmërim për Pushim nga Puna" për 26 punonjës të tjerë, nga të cilët 11 juristë dhe 14 inxhinierë.

Grupi i auditimit propozoi gjithashtu edhe 24 masa organizative, ndërsa u shfaqën problematika kadastrale në komunat Ahmetaq, Bërxull, Baldushk, Ndroq, Pezë e Madhe dhe Priskë e Madhe.