A1 Report - Moren 50 mije leke per heqjen e nje gjobe,pranga 3 inspektoreve te Punes

2015-08-21 19

TIRANE- Tre inspektorë të Inspektoratit të Punës në Tiranë, arrestohen pasi i morën 50 mijë lekë ryshfet në zyrë administratorit të një firme për t'i hequr gjobën.

Skuadrat e forcës së posaçme operacionale kanë finalizuar një hetim të përbashkët të Drejtorisë së Antikorrupsionit, si dhe Antikrimi Ekonomik i Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve tre inspektorët e arrestuar janë Taulant Mançellari, Sotiraq Lala dhe Hajredin Gjoksi.

Inspektorët akuzohen për mitmarrje, duke i marrë lekë bizneseve ku ushtronin kontroll dhe gjenin punonjës të padeklaruar.

Inspektorët merrnin shumën e parave për të mos përfshirë konstatimet në raportet e tyre.

Burime për "A1 Report" bëjnë me dije se Mançellarit i janë gjetur 2 portofola, ku u gjetën 80 mijë lekë dhe qindra euro.

Mançellari, Lala dhe Gjoksi, janë arrestuar në kushtet e flagrancës, dhe dërguar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

"A1 Report" siguron fotot nga momenti i arrestimit të tre inspektorëve të Inspektoratit të Punës, Tiranë.
Policia ka marrë deklarimet e drejtorit të inspektorëve të arrestuar, por nga hetimet ai nuk rezulton të ketë dijeni për rastet e mitmarrjes së Mançellarit, Lalës dhe Gjoksit.

Skuadrat e forcës së posaçme operacionale kanë finalizuar një hetim të përbashkët të Drejtorisë së Antikorrupsionit, si dhe Antikrimi Ekonomik i Policisë së Shtetit. Tre inspektorë të Inspektoratit të Punës janë arrestuar, dhe dërguar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Sipas burimeve inspektorët Taulant Mançellari, Sotiraq Lala dhe Hajredin Gjoksi akuzohen për mitmarrje. Të njëjtat burime thanë se po vijohet me kontrolle në banesa dhe shoqërime të tjera, ndërsa detajet priten të bëhen publike pas operacionit.
ORA 17:30 REAGON INSPEKTORATI I PUNËS: BIZNESET TË DENONCOJNË RASTET ABUZIVE
Pas ndalimit të tre inspektorëve të Inspektorati i Punës në Tiranë, ka ardhur edhe reagimi nga ky institucion. Inspektorati i Punës Tiranë fton të gjithë bizneset të denoncojnë rastet abuzive, duke dënuar këtë akt mitmarrje. Ndërsa, ky institucion shprehet në mbështetje të punës së policisë dhe prokurorisë, duke inkurajuar në zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe identifikimin e çdo rasti të abuzimit me detyrën apo shkelje të ligjit nga inspektorët.

"Distancohemi nga çdo veprim i secilit që bie ndesh me ligjin. Askush të mos mendojë se është i pandëshkueshëm në rast abuzimi. Inspektorati i Punës fton sërish të gjithë bizneset të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e inspektorëve", thuhet në reagimin e Inspektoratit të Punës, Tiranë.

Sipas Inspektoratit të Punës rezulton se Hajredin Gjoksi ishte emëruar në këtë detyrë më 8 Shkurt 2012; Sotiraq Lala i emëruar më 10 Korrik 2012' dhe Taulant Mançellari i emëruar më 9 Nëntor 2011.

Ndërkaq, bëhet me dije se të tre inspektorët e akuzuar për mitmarrje janë liruar menjëherë nga detyra.