TIRANE- Partia Demokratike ka denoncuar ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj se ka fyer mjekët shqiptarë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi iu referua rastit të dy ditëve me parë ku ministri Veliaj vlerësoi një spital privat, për një rast ndërhyrje kirurgjikale.
"Ministri Shpëtimtar Veliaj, doli fiasko në misionin e fundit të bamirësisë, duke bërë një akt, dhe një deklaratë që ka fyer komunitetin e mjekëve në vend. Ministri Veliaj, thotë se për herë të parë, dhe vetëm në një spital privat në vend, është bërë një transplant i korneas në sy, dhe sigurisht ai vetë ka meritën kryesore për mundësinë që i dha një pacienti.
Por mjekët okulistë, e akuzojnë Ministrin se ka gënjyer, duke qenë se kjo lloj ndërhyrje sipas tyre, ka 20 vite që bëhet. Mjekët okulistë, i kërkojnë Ministrit të kërkojë falje, pasi ka fyer mundin dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në këtë drejtim. Mjekët okulistë, i bëjnë thirrje Ministrit të bëjë detyrën, dhe si anëtar qeverie të realizojë ato reforma për të cilat shëndetësia ka nevojë", tha Vorpsi.
Sipas zëdhënëses së Partisë Demokratike, Erion Veliaj vuan ka sindroma e "vitit zero" dhe se ky akt fals bamirësie ka ofenduar të gjithë komunitetin e mjekëve në vend.
"Ne i kujtojmë z.Veliaj, autorit të fabulës së Griseldës, se ka ardhur koha të tregojë seriozitet, e të shërohet vetë së pari nga sindroma e vitit zero. Partia Demokratike, i kërkon një prej ministrave më qesharakë të kësaj qeverie, Shpëtimtar Veliajt, që t'u kërkojë ndjesë mjekëve dhe të qëndrojë brenda fushës që mbulon. Ekspedita e tij e fundit në shëndetësi, solli shumë probleme", tha zëdhënësja.