A1 Report - Matura Shteterore, ja rregullat e reja per maturantet e vitit 2013-2014

2015-08-21 2

TIRANE- Matura Shtetërore këtë vit do të pësojë ndryshime të rëndësishme. Ndërsa pritet që këtë të hënë të publikohet edhe Formulari A1Z, Komisioni i Maturës Shtetërore i ngritur nga MAS, ka vendosur tashmë që disa prej lëndëve të ndryshojnë koeficientet. Po ashtu ndryshime do të pësojë edhe pesha që ka nota mesatare në llogaritjen e pikëve, peshë e cila këtë vit do rritet me 6%.

"Kemi pasur kërkesa të shumta nga të gjithë maturantët për rishikim të peshës së notës mesatare, që edhe ne e konsiderojmë të drejtë. Dhe që këtë vit nota mesatare e tre viteve të shkollës së mesme do të ketë më shumë peshë në raport me provimet e tjera dhe aktualisht ajo ka 26% të totalit të pikëve, nga 20% që ka qenë deri më tani. Sigurisht që është e drejtë që nota mesatare të ketë më shumë peshë, por gjithashtu është e drejtë që ndryshimet të mos jenë të menjëhershme. Me këtë nivel që i kemi dhënë aktualisht edhe nxënësi që ka mësuar për tre vitet e gjimnazit merr vlerësimin për njohuritë e tyre dhe diferencohet nga ata që nuk kanë qenë të angazhuar në shkollë", shpjegon Nora Malaj, kryetare e Komisionit të Maturës Shtetërore.

Po ashtu këtë vit është ngritur vija e kuqe e përgjigjeve të sakta që duhet të japë një maturant për të marrë notë kaluese. Ndërsa për mbetësit e sezonit të qershorit do të ketë penalizimi, pasi ata do të përjashtohen nga mundësia për të aplikuar në universitet.

"Një ndryshim rrënjësor që kemi bërë këtë vit, në drejtim të rritjes së cilësisë është ajo që njihet si "cut off", ose e thënë ndryshe vija e kuqe që vendos kufirin e pyetjeve të sakta që duhet të japë një maturant për të marrë nota kaluese. Ajo që ka ndodhur deri më tani është e paimagjinueshme. Ky nivel është ulur në 7% të totalit të pyetjeve, ndërsa standardet e vendeve të zhvilluara e kanë 40%. Ne e kemi vendosur këtë nivel në 20%. Ulja e këtij niveli ka bërë që nxënësi i 4-ës, të merrte 5-së dhe i pesës të merrte gjashtën, ndërsa ata të 9,10 nuk bënin diferencën. Një gjë tjetër që kemi bërë ne për rritjen e cilësisë është ajo, që ata që nuk arrijnë të vlerësohen me notë kaluese në provimin e maturës, do të kenë mundësi ti japin sërish në vjeshtë, por nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për në universitet për këtë vit", shpjegon Malaj.

Vitin që vjen Matura Shtetërore do të jetë vetëm një provim dalës nga gjimnazi, ndërsa në përcaktimin e shkollës së lartë do të rishikohet e gjithë formula, ku edhe gjimnazi ku ti ndjek studimet do të ketë një koeficient në vlerësimin përfundimtar.