Ekspertët: Autostrada Kërçovë-Strugë, shumë efekte pozitive

2015-08-21 13

Ndërtimi i rrugës Kërçovë-Strugë dhe Ohër, si pjesë e përfundimit të projektit korridori 8,është investim i rëndësishëm që do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Menderez Kuçi tha se përfundimi i projektit korridori 8, pos qarkullimit të njerëzve, është i një rëndësie të veçantë edhe për qarkullimin e mallrave. Ai tha se me këtë projekt pos vendit tonë, do të përfitojë edhe rajoni.

'Një investim i këtillë është kërkuar edhe më herët , aq më tepër në kohë krizash pasi që kjo do të thotë zbutje e krizës qoftë në aspektin e punësimit të njerëzve të pa punë, apo të kompanive që kanë mbetur pa aktivitete të caktuara në aspektin e ndërtimit, qoftë edhe në aspektin se mjetet që do të përdoren për rregullimin e këtyre autostradave do të mbeten në vendin tonë. Indirekt do të ndikojnë edhe në rritjen e Bruto prodhimit vendorë", tha Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP.

Ekspertja e ekonomisë Shenaj Haxhimustafa vlerëson se të gjitha investimet në infrastrukturë japin efekte pozitive afatgjate.

'Efektet janë vetëm pozitive. Investime të këtilla duheshe të bëhen që para disa vitesh kur Maqedonia po ballafaqohej me efektet e krizës ekonomike globale. Fakt është se të gjitha investimet në infrastruktura të mëdha sjellin efekte pozitive afatgjate', u shpreh Shenaj Haxhimustafa, profesor universitar.

Pos rrugës Kërçovë -- Strugë, për ekspertët është me rëndësi të madhe edhe paralajmërimi tjetër që e bënë zyrtarët qeveritar se në qershor do të fillojë procesi i koncesionimit të dy rrugëve shumë të rëndësishme asaj Gostivar-Kërçovë dhe Shkup-Bllacë. Ferikan Iljazi