A1 Report - Autori i masakrës se Shkozetit kapet duke ikur nga Shqiperia

2015-08-21 43

KORÇE - Odise Verbofshi, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe djegies së trupave të shtetasit Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç, është arrestuar në Bilisht, 72 orë pas masakrës së Durrësi, në tentativë për tu larguar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Policia e Durrësit e ka zbuluar vendodhjen e Odise Verbofshit përmes përgjimeve telefonike. Ai i kishte kërkuar ndihmë një shoku në telefon, për ti kërkuar ushqim dhe i ka treguar se ku ndodhej, në një pyll të vogël në rrethinat e Korçës. Policia e ka përgjuar dhe ka lokalizuar vendin dhe më pas ka bërë arrestimin e tij.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, arrestimi i 32-vjeçarit nga Shkozeti i Durrësit është bërë nga efektivët e Policisë Kufitare. Policia kishte rënë në gjurmët e autorit kryesor të vrasjes pas mbledhjes së dëshmive nga personat e shoqëruar dhe sidomos të bashkëpunëtorit, Gazep Pili. Ky i fundit është arrestuar për "fshehja ose asgjësimi i kufomës".

Ndërkohë daja i 20 vjecarit Gazep Pili ka deklaruar jashtë kamerave se Odisea e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar një bidon me benzinë, pasi sipas tij e kishte lënë makina në rrugë. 20-vjeçarin e kanë regjistruar kamerat e sigurisë teksa mbushte bidonin në një karburant dhe për këtë arsye akuzohet si bashkëpunëtor.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten 20 shkurt 2014, rreth orës 22:00 dhe si shkak ka pasur prishjen e pazareve të drogës mes të rinjve. Që pas ngjarjes makabre, ku trupat e Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç të dy nga Fushë Kruja u gjetën të djegur në zonën e ish-kënetës së Durrësit, pranë ish-vaskave të peshkimit, Policia e Durrësit ka zhvilluar hetime intensive për arrestimin e autorëvë të këtij krimi.

POLICIA E DURRESIT: AKUZAT QE RENDOJNE MBI ODISE VERBOFSHI
Sipas hetimeve të policisë rezulton, se dy Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç, banues në Fshat Fushë Krujë; ishin vrarë paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar për t'u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin në funksion të fshehjes së gjurmëve e provave.

Vrasja e dy të rinjve rezulton se ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri pistoletë. Sipas policisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan dhe u pyetën 36 persona që kishin dijeni mbi hetimet në fjalë.

Ndërsa bëhet me dije se "krahas provave të tjera, në banesën ku ka ndodhur krimi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe:

-74 kg Kanabis Sativa e ndarë në pako, e stivuar në rafte në ambientet e banesës
-1 pistoletë e markës Ekol Special, e kalibrit 9 mm
-1 pistoletë me krëhër, e markës Lady K Italy, e kalibrit 8 mm
-1 krëhër pistolete me një fishek në të".

Odise Verbofshi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për ngjarjen e rëndë, për veprat penale "vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave", "mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake" dhe "prodhim e shitje e lëndëve narkotike".