A1 Report - Permbyset autobusi afer TEG, e perplasi makina, 10 te plagosur

2015-08-21 7

TIRANE- Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në dalje të Tiranës, në rrethrrotullimin afër qendrës tregtare "TEG". Autobusi i linjës Tiranë-Elbasan, me targa TR 2011 U, me të cilin udhëtonin 15 pasagjerë kryesisht të rinj, është goditur në pjesën e pasme nga një automjet tip "Benz", me targa AA 955 HG. Si pasojë e goditjes, autobusi i cili ka qenë duke lëvizur në drejtim të Elbasanit, është përmbysur në rrugë, duke u latuar në anën e drejtuesit të mjetit.

Për shkak të rrëzimit, dëmtimet që ka pësuar autobusi kanë qenë të mëdha, xhamat janë thyer, ndërsa dëmtim ka pësuar edhe mjeti tip "Benz".

Mësohet se autobusi ishte pothuajse i mbushur me pasagjerë, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar, duke mos patur pasoja të rënda. 10 pasagjerë, të cilët pësuan dëmtime më të mëdha, janë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku edhe kanë marrë ndihmë të specializuar mjekësore, dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas raportimeve të gazetarit tonë Mariglen Mulla nga vendi i ngjarjes, mësohet se 5 prej të plagosurve të cilët ndodhen në gjendje me të rëndë, janë dërguar menjëherë në spitalin Ushtarak në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar mjekësorë. Ndërsa mësohet se i plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i autobusit, që i përket kompanisë "Era Travel". Ndërsa drejtuesi i mjetit tip "Benz" ka pësuar dëmtime të lehta. Më pas janë dërguar në spitalin e Traumës edhe 5 të plagosurit e tjerë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Ndërsa pasagjerët të cilët pësuan lëndime të lehta, morën mjekim në vendin e ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake mësohet se mjeti tip "Benz" ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi mbi 100 km në orë, kur përplasi autobusin, si dhe shoferi kishte konsumuar alkool.

Për "A1 Report", disa studentë të plagosur lehtë pohuan se kishin ndierë përplasjen, pasi ndodheshin në pjesën e prapme të autobusit. Në këtë mjet shumica e pasagjerëve ishin studentë që ktheheshin nga Tirana në Elbasan.

Dëshmitarët në vendngjarje pohojnë se rreth gjysmë ore pas aksidentit nuk ka pasur lëvizje apo ndihmë nga askush, derisa pasagjerët po dilnin nga dritaret, duke thyer xhamat. Sipas tyre autoambulanca mbërriti me vonesë, dhe "të lënduarve iu dha ndihma 45 minuta me vonesë".

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë marrë në pyetje drejtuesin e mjetit tip "Benz".

Sipas policisë shkak i aksidentit ka qenë lëvizja me shpejtësi i mjetit tip "Benz" i cili ka hyrë në rrethrrotullim duke lëvizur me 100 km/orë. Mjeti tip "Benz" ka goditur në pjesën e pasme autobusin që lëvizte nga Tirana në drejtim të qytetit të Elbasanit.

AKSIDENTI TE RRETHRROTULLIMI I TEG-UT, ZBARDHEN EMRAT E TË AKSIDENTUARVE
Ramazan Rama, 19 vjeç
Ikbal Rama, 54 vjeç
Aldo Dervishi, 23 vjeç
Ana Kotorri, 23 vjeç
Xheni Prishka, 25 vjeç
Eisel Doka, 22 vjeç
Arjana Kurti, 40 vjeç
Enea Cekrezi, 19 vjeç
Ermonela Doka, 20 vjeç
Lumuri Braha, 65 vjeç