Analistët: Vizita e Venizelosit nuk ndryshon asgjë

2015-08-21 0

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk presin ngrohjen e marrëdhënieve mes Shkupit dhe Athinës, pas vizitës së djeshme të Venizelos. Madje sipas tyre liderishipi në vend dështoi të organizonte një pritje miqësore, ndryshe nga shefi i diplomacisë greke i cili u tregua mjaft i matur dhe nuk doli nga petku i diplomatit. Megjithatë edhe në këto takime sipas tyre u betonuan linjat e kuqe të të dyja vendeve rreth çështjes së emrit. Sipas Ismet Ramadanit për aq kohë sa kjo qeveri këmbëngul për histori antike të Maqedonisë, nuk ka për të pasur zgjidhje.

"Kjo sjellje dhe ky qëndrim megjithatë nuk krijon atmosferë që bisedimet më tutje të jenë konstruktive. Prandaj duhet të përsëritet kërkesa e përfaqësuesit shqiptar se sa më shumë të përfshihet BE, NATO dhe SHBA, dhe presioni nga jashtë të jetë më i theksuar presioni pasi në të kundërtën me këtë formë të bisedimeve dhe qëndrimet e kreut shtetërore nuk japin shpresë se shumë shpejtë do ketë zgjidhje të emrit por edhe integrime", u shpreh Ismet Ramadani, analsit.

Sipas Zdravko Saveskit megjithatë, ardhja e Venizelosit është një lëvizje përpara dhe mund të shfrytëzohet si precedent në të ardhmen, për të intensifikuar komunikimin mes dy vendeve. Por për Saveskin akuzat e Poposkit menjëherë pas takimit me Venizelosin, nuk çojnë sinjale pozitive.

"Deklarata e Ministrit të Jashtëm Poposki para se gjithash ishte e destinuar ndaj opinionit vendas që opinionit maqedonas t'i dëshmohet qëndrimi i ngurtë në çështjen e emrit, pa pasur parasysh reperkusionet nga një veprim i tillë që i shërben politikës ditore", tha Zdravko Saveski, analist.

Pikërisht akuza e Poposkit se pala greke nuk është e gatshme të zgjidhë kontestin si dhe komenti i tij se Venizelos refuzoi të mbante konference të përbashkët me të, pasi nuk i ka pëlqyer prapavija, zunë vend kryesor edhe në raportin e mediave greke mbi këtë vizitë. Semra Jakupi