Pas një nate të gjatë plotë lojëra diplomatike dhe lobime mes Ukrainës, Rusisë dhe Perëndimit, më në fund u arrit një lloj propozimi për t'i dhënë fund dhunës në vend. Do të ketë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe do të kthehet në pushtet Kushtetuta e vitit 2004. Tensionet politike në Parlament kanë qenë të pranishme gjatë gjithë ditës. Në disa raste pati edhe revolta që për pak sa nuk shpërthyen në rrahje mes deputetëve të qeverisë dhe opozitës. Në një deklaratë nga zyra e presidentit njoftuan se marrëveshja parashikon dhe reduktimin e kompetencave të kreut të shtetit në favor të Parlamentit. Në takimin për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, morën pjesë presidenti Viktor Janukoviç, udhëheqësit e opozitës, ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Polonisë, por edhe përfaqësues të Rusisë. Uashingtoni ka thënë se nuk e mbështet kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Janukoviçit, por kërkon nga ai t'i sigurojë shtetit, të ardhme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërcënoi më herët, me pasoja nëse në përleshje ndërhyn edhe ushtria.
"Ushtria e Ukrainës nuk duhet të kthehet kundër popullit ukrainas. Nëse është kështu, do të mund të kemi edhe pasoja serioze negative në marrëdhëniet tona me autoritetet në Ukrainë", u shpreh Anders Fog Rasmusen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndërkohë, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës ka dhënë dorëheqje për shkak të përpjekjeve që ushtria të ndërhyjë në konflikt. Sot, protestuesit hapën zjarr drejt policisë në Kiev, por nuk u raportua për kundërpërgjigje ndaj dhunës, dhe për ndonjë të plagosur. Madje, edhe policia ka marrë urdhra më të zbutur, pasi shumica e deputetëve vendosën mbrëmë për tërheqjen e forcave speciale nga sheshi Majdan. Bilanci i të vdekurve nga e marta deri më sot shënohet në 80 persona. Petar Bllazhevski