DURRES- Dy djem të rinj nga Fushë-Kruja janë ekzekutuar me armë në një banesë në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinë në zonën e Ish-kënetës, ku dhe janë djegur brenda në makinë.
Krimi makabër është regjistruar mbrëmjen e djeshme, ndërsa policisë i është dashur gati 2 orë të nxjerrë nga makina trupat e karbonizuar
Makina tip Mercedez Benz' me targa AA930BJ është gjetur e shkrumbuar rreth orës 22:45 minuta të mbrëmjes së të enjtes (20 shkurt 2014), pranë tregut të makinave në zonën ku para viteve 1990 kanë qenë ish-vaskave e peshkut.
Mendohet se viktimat Albert Kasalla, 34 vjeç dhe Shaban Babasi, 27 vjeç nga Fushë Kruja, janë ekzekutuar me armë banesën e autorit në lagjen nr 14, në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinë (e cila i përkiste njërit prej viktimave) rreth 3 km më tutje, drejt zonës ku dhe i është vënë flaka makinës.
Trupat e djemve, janë gjetur të karbonizuar njëri në sediljen e pasme të mjetit dhe tjetri në bagazhin e makinës. Banesa ku ka ndodhur vrasja e dy të rinjve është në lagjen nr 14 në Shkozet dhe mendohet se është banesa e autorit të krimit makabër. Mendohet se vrasja ka ndodhur për prishje pazaresh. Në këtë banesë janë gjetur edhe 70 kg kanabis sativa. Në banesë u gjetën gjurmë gjaku. Banesa 1 katëshe ndodhet në një lagje me ndërtime të reja.