A1 Report - Politikat per komunitetin rom dhe egjiptian

2015-08-21 0

Komisioni Europian është i angazhuar në rritjen e mbështetjes, për përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në vitet e ardhshme nën Instrumentin e ri për Asistencën Para-Aderimit (IPA II). Këtë e ka shprehur Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, gjatë një tryezë diskutimi të zhvilluar në Tiranë, me ministrin e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Përfshirja e komuniteteve rome dhe egjiptiane në shoqërinë tonë, ishin disa nga temat e bisedimit. Ndërkaq, punësimi, arsimimi, shëndetësia dhe strehimi, mbeten shqetësimet kryesore të romëve dhe egjiptianëve në vendin tonë, këto të sjella në fokus nga përfaqësues të qeverisë shqiptare.

"Kërkohet vullnet i fortë politik në të gjitha nivelet. Përfshirja e romëve dhe egjiptianëve, duhet bërë përparësi kombëtare, jo vetëm në dokumente strategjikë, por edhe në angazhim aktual në terren, mbështetur nga një politikë e vërtetë e sektorit", është shprehur Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin i Komisionit Europian.

Ministri Veliaj, siguroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të udhëheqë përpjekjet e qeverisë ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane, për thyerjen e barrierave strukturore, do të ndikojë në politikat përfshirëse që i japin formë një sistemi të hapur, miqësor dhe të barabartë për të gjithë.

"Edhe publiku duhet të luajë rol duke i dhënë fund diskriminimit dhe stigmatizimit, si dhe duke ndërmarrë veprime pozitive drejt përfshirjes dhe thyerjes së barrierave", tha ai.

Ekspertët e BE-së, përfaqësuesit e autoriteteve qendrore dhe vendore, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare, shkëmbyen eksperiencat për përfshirjen e komuniteteve rome dhe egjiptiane në shumë fusha. Ato janë regjistrimi civil, arsimi, trajnimi profesional dhe punësimi, strehimi dhe infrastruktura, si dhe shërbimet sociale dhe kujdesi shëndetësor.

Free Traffic Exchange