Ti kushtohet kujdes gjendjes psikike të nënave surrogat

2015-08-21 4

T'i kushtohet kujdes shumë i madh gjendjes psikike nënave potenciale surrogat. Kështu porositën psikiatrit dhe psikologët, pjesëmarrës në debatin e hapur rreth propozimit të ministrisë së shëndetësisë që të vendoset mëmësi surrogate në Maqedoni. Sipas tyre, duhet të formohet komision profesional i cili në mënyrë precize do të përcaktojë nëse nëna është e aftë ta lind fëmijën dhe më pas atë t'ia dorëzojë çiftit me të cilët ka lidhur marrëveshje, pa pasur trauma psikike.

'Ne patjetër të jemi të kujdesshëm që ato të jenë gra që me vetëdije të plotë dhe mëndje të shëndoshë do të futen në këtë proces, sepse specifika të cilës ne duhet t'i kushtojmë shumë vëmendje, është ndarja e nënës surrogat nga fëmija pas lindjes. Ky është një moment psikologjik për të cilin duhet të përgatitet gjatë tërë periudhës së shtatzënisë', tha Antoni Novotni, drejtor i klinikës psikiatrike.

'Porosis vëmendje të madhe ndaj momenteve mentale dhe higjienike, të aspekteve psikiatrike. Duhet të kushtohet vëmendje sepse në të kundërtën, kam përshtypjen se dimensioni human në tërë këtë proces, mund të shndërrohet në rrezik të tmerrshëm dhe problemi i një familje të shndërrohet në problem të dy familjeve', u shpreh Violeta Arnaudova, Udhëheqëse e institutit të psikologjisë në Fakultetin filozofik.

Psikologët propozuan edhe atë që termi mëmësi surrogate të zëvendësohet me termin shtatzënë surrogat, sepse fëmija do ketë nënë tjetër nga ajo që e lindë. Sipas propozimit të Ministrisë së shëndetësisë, nënë surrogat mund të jetë grua e shëndoshë psikike e moshës mbi 21 vjet. Ajo mund të jetë nënë surrogat vetëm njëherë dhe patjetër të jetë shtetase e Maqedonisë. Bojana Simonoviq