A1 Report - Vlore, zbulohet tuneli i trafikut shoqërohen efektivet e policise

2015-08-21 1

VLORË - Zbulohet një tunel 25 metra i gjatë në zonën e hidrovorit në Vlorë që mendohet se përdorej nga trafikantët për të fshehur mjetet motorike për trafikun e lëndës narkotike drejt Italisë. Ndërkaq për këtë arsye gjatë ditës së sotme janë shoqëruar edhe disa efektivë të Policisë së Kufirit, si dhe u sekuestrua një skaf 9 metra i gjatë.

Këta efektivë janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje, nëse kanë pasur dijeni të mëparshme në lidhje me këtë tunel që përdorej për trafiqe të ndryshme nga Vlora në drejtim të Italisë.

Burime nga policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se, tuneli ndodhet në Akerni në afërsi të Novoselës, rreth 2 kilometra nga bregu i detit, ndërsa ambientet e tunelit janë të mbushura me ujë.

Tuneli nuk ishte vetmi zbulim, pasi gjatë kontrollit brenda policia gjeti një skaf me gjatësi prej 9 metrash, i cili dyshohet së përdorej nga trafikantët për transport të lëndëve narkotike.

Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në gjithë zonën, ndërsa në vendin ku ishte ndërtuar tuneli është e pamundur të shkohet me mjete të vogla.

Përveç motorrskafit në tunel u gjetën edhe një zetor që përdorej për transportin e mjetit lundrues, një gjenerator dhe pajisje të ndryshme.

Zona ku është ndërtuar tuneli është rrethuar me ujëra, ndërsa më parë ka qenë moçalishte.

Është konfirmuar nga specialistë se tuneli është 45 m i gjatë, në brendësinë e të cilit ishte vendosur një kontenier i profilit metalik, që në brendësi mbante edhe gomonen.

Sipas gazetares së 'A1 Report" në Vlorë, narkotrafikantët, të cilët e kanë përdorur pikërisht këtë bazë, të kenë qenë jo vetem njohës shumë të mirë të zonës por edhe njohës shumë të mirë të këtij lloj trafiku.

Policia e qytetit bregdetar në bashkëpunim me "Guardia di financia" kanë nisur hetimet për identifikimin e personave që kanë përdorur këtë tunel si bazë të ruajtjes lëndës narkotike dhe mjetet e transportit saj.

Free Traffic Exchange