TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të marrë asistencë ekspertize nga Komisioni i Venecias për reformimin e drejtësisë në vendin tonë.
Sot në ambientet e KLD-së, zëvendëskryetari, Elvis Çefa ka pritur në takim ekspertë të Komisionit të Venecias ku kanë folur për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ekspertët vlerësuan se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të kalojë nëpërmjet një procesi të gjerë konsultativ me të gjithë aktorët e sistemit, dhe në mënyrë të veçantë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim minimizimin e ndërhyrjeve të politikës ndaj institucioneve të drejtësisë në funksion të forcimit të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së këtij sistemi.
Ndërsa zëvendëskryetari, Çefa ka shprehur gatishmërinë e KLD-së, për të kontribuuar në evidentimin e problematikave që ka sot gjyqësori në vend, në funksion të përmirësimit tërësor të sistemit të drejtësisë.
Grupi i ekspertëve të Komisionit të Venecias përbëhet nga Peter Paczolay, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Hungari, Sergio Bartole, Anëtar i Komisionit të Venecias dhe Z. Schnutz Rudolf Dürr, Kryetar i Divizionit i së Drejtës Kushtetuese në Komisionin e Venecias.