A1 Report - Raporti: KQZ shpërdoroi 3 mln euro për "zgjedhjet elektronike"

2015-08-21 1

TIRANE- 436 milion lekë të reja u paguan nga qeveria shqiptare për dështimin e zgjedhjeve elektronike në qarkun e Fierit dhe të Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Në raportin vjetor të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku pasqyrohet e gjithë veprimtaria e institucionit përgjatë vitit 2013, rezulton se një shumë e madhe parash janë paguar nga ana e KQZ për një projekt që dështoi pa nisur ende.

Konkretisht në raport thuhet se: "Pjese e buxhetit të zgjedhjeve për Kuvend 2013, kanë qenë edhe fondet për realizimin e projekteve pilot të teknologjisë, 447 milionë lekë per projektin: verifikimi dhe regjistrimi elektronik i shtetasve në qarkun e Tiranës (SEV) si edhe 232 milionë lekë për projektin: numërimi elektronik në qarkun e Fierit (SEN).

Deri në momentin e vendimarrjes së KQZ-së për mos zbatimin e këtyre dy projekte, në zbatim të kontratave të lidhura me kompaninë përkatese, u paguan përkatësisht: 164.3 milionë lekë nga 232 milionë lekë për projektin SEN dhe 271.5 milionë lekë nga 447 milionë lekë për projektin SEV. Këshilli i Ministrave me VKM nr. 637, datë 31.07.2013, pakësoi fondet e vëna në dispozicion për këto projekte, me diferencën e papaguar deri në momentin e vendimarrjes së KQZ-së: nga 679 milionë lekë në 436 milionë lekë".