Qeveria ndan 20 hektarë tokë për USHT-në

2015-08-21 1

Qeveria e Maqedonisë i ka ndarë Universitetit Shtetëror të Tetovës 20 hektarë tokë shtetërore, për nevojat e studimeve të studentëve në fakultetin e bujqësisë dhe punës praktike të tyre. Toka ndodhet pranë stadiumit të fshatit Reçicë.

"Të njëjtat i jepen në koncesion, në shfrytëzim pa qira, universitetit shtetëror të Tetovës, për afat prej 20 vjetësh, ku do të bëhen hulumtime shkencore në sferën e bujqësisë, dhe për këto Universiteti po ashtu do të mund të aplikojë për subvencionime të cilat do të jenë diku prej 3000 deri në 5000 euro në vit varësisht nga kultura bujqësore që do të mbjellë", tha Besir Jashari, Sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë.

"Kjo do të jetë një produkt shumë i mirë jo vetëm për Universitetin Shtetëror të Tetovës por gjithashtu edhe për kuadrot e specializuar që do jenë të mirëseardhur për të gjithë bujqit që në të ardhmen do të kenë nevojë për ndihmë drejtpërdrejtë profesionale sa i përket dhënies së kësaj toke USHT-së", deklaroi Safet Neziri, Zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës.

"Shfrytëzimi i tokës do të bëhet në kuadër të fakultetit të bujqësisë me të cilin mendojmë të startojmë vitin e ardhshëm dhe me disa programe studimore, ku do kultivohen lloje të ndryshme të bimëve, do bëhet shartimi i fidanëve të rinj, do të krijohen plantacione apo sera për kultivimin e bimëve të ndryshme që në të ardhmen studentët e fakultetit të bujqësisë të mundë të kryejnë edhe pjesën praktike", tha Vullnet Ameti, Rektor i USHT-së.

Toka për momentin është e mbjellë nga fshatarët përreth, por e drejta e shfrytëzimit të saj do të merret pas sezonit të korrjes. Bashkim Sulejmani

Free Traffic Exchange