Manifesti Maqedonas: Venizelos, i padëshiruar

2015-08-21 1

Një grup intelektualësh maqedonas kundërshtuan ashpër vizitën e shefit të diplomacisë greke Evangeliz Venizeloz në Shkup, duke drejtuar madje një sërë ofendimesh ndaj tij edhe në baza personale. "Vizita e ministrit të jashtëm të ish provincës otomane greke, është e panevojshme, madje ai nuk meriton të pritet nga kreu shtetëror", -theksoi grupi i vetëquajtur "Manifesti Maqedonas". Ata ironizuan edhe ardhjen e Venizelosit me makinë nga Prishtina dhe shmangien e aeroportit "Aleksandri i Madh", duke theksuar se ai ka frikë të ballafaqohet me realitetin.

"Ai është i kompleksuar, i frustruar, nuk mund të jetë ndryshe kur vjen nga Prishtina me makinë dhe kthehet sërish që të mos aterojë në aeroportin "Aleksandri i Madh". Nuk mund të jetë ndryshe kur vjen në mbrëmje. Përse në mbrëmje, sepse ka frikë, ka frikë sepse ata e dinë që janë hajdut të trashëgimisë antike maqedonase, të territorit maqedonas.. Ky person është i frustruar, madje në çdo aspekt, është i frustruar nga origjina e tij, nga familja e tij, shikojeni si duket ai, shikojeni vajzën e tij.. prandaj dëshiron t'i fyejnë të tjerët.. ata vetë janë hajdut dhe thonë kapeni hajdutin", tha Stefan Vllahov Micov, historian.

Fyerjet e tilla në baza personale i mbështetën edhe përfaqësuesit e tjerë të Manifestit. Sipas tyre, Venizelos kultivon politike fashiste dhe gjenocidi.

"Mendoj se Evangeliz Venizlos edhe në Shkup do të jetë i paskrupullt, sepse nga vetë natyra ai është i pafytyrë", u shpreh Eftim Kletnikov, poet.

"Venizelos jo vetëm që ofendoi Maqedoninë por flet me nënçmim për Maqedoninë, na quajtën vjedhës, homoseksualë na tha. Ndërkaq ne u shqetësuam çfarë kemi thënë për familjen e tij", deklaroi Georgi Barbarovski, poet.

Sipas "Manifestit maqedonas", asnjë nga shtetet fqinjë nuk ka qasja korrekte ndaj vendit, përfshi edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

"Këtu shqiptarët e Maqedonisë e kërcënojnë qeverinë maqedonase, ndërkaq ne çfarë kemi atje? Çfarë të drejtash kemi ne atje? Prandaj, ju do të keni po aq të drejta në Maqedoni ashtu si maqedonasit tanë që kanë në Shqipëri dhe Kosovë, as më pak e as më shumë, aq", tha Stefan Vllahov Micov, historian.

'Manifesti Maqedonas' u bëri thirrje politikanëve që ministrin e jashtëm grek ta presin ashtu siç e meriton, dhe të mos shfaqin sjellje servile. Madje ata propozuan që qeveria t'i shpallë persona të padëshiruar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, përshi ambasadorët në vend që shmangin emrin kushtetues të vendit. Shefi i diplomacisë greke në kuadër të turit ballkanik, pritet të mbërrijë në Shkup të enjten. Në takimin e sotëm me kryeministrin serb në Beograd Ivica Daçiq, Venizelos theksoi se pret që Serbia deri në vitin 2020 të bëhet anëtare e BE-së. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange