Analizat e gjakut dhe ekspertizat e tjera toksikologjike, sipas mjekësisë ligjore, kanë treguar se nxënësit e Gostivarit nuk kanë qenë të helmuar me asnjë gaz helmues. Pas ekspertizave, nuk është zbuluar ende se çfarë substance ka shkaktuar simptomat e nxënësve dhe profesorëve.
"Gjatë pranimit në spital, pacientët ankoheshin për vështirësi subjektive. Kontrolli klinik dhe ekspertizat, përfshi edhe analizat toksikologjike, janë negative, ose nën nivelin e vlerës referente", u shpreh Andon Çibishev, Drejtor i Spitalit Toksikologjik.
Edhe ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov nuk e di se nga se janë ankuar nxënësit dhe të punësuarit në Shkollën e Mesme Profesionale të Gostivarit.
"Janë shumë çështje që duhet të investigohen dhe nuk mund t'u jepet përgjigje mjekësore. Ajo që është me rëndësi për ne në këtë moment, është përgjigja mjekësore dhe përgjigja e sistemit. Sistemi u organizua shpejt dhe funksionoi shpejt", tha Nikolla Todorov, Ministër i Shëndetësisë.
Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta thotë se ka qenë dëshmitarë i vështirësive të cilat janë paraqitur tek nxënësit, madje i ka ndjerë edhe vet ai. Bejta apeloi që ekspertizat mjekësore të mos përfundojnë këtu, por të vërtetohet shkaktari i simptomave të tilla tek nxënësit.
"Unë vet kam qenë në vendin e ngjarjes dhe i pash nxënësit se kishin lotim, frymëmarrje të vështirësuar, kollitje dhe ngushtim të kraharorit. Unë vet hyra në shkollë dhe të njëjtat simptome mu paraqitën edhe mua, edhe sytë filluan të më djegin, edhe fyti. Ato thonë që nuk ka simptome të helmimit, por le ta vërtetojnë se nga ju vjen nxënësve", deklaroi Nevzat Bejta, Kryetar i Komunës së Gostivarit.
Kryeministri Gruevski ditë më parë deklaroi se ka një mendim privat lidhur me ngjarjen në Gostivar, por se do të presë analizat mjekësore para se ta kumtojw atë publikisht. Më 14 mars në Gostivar, mbi 40 nxënës dhe disa të punësuar, gjatë procesit arsimor në gjuhën shqipe, janë ankuar për skuqje të syve, vështirësi gjatë frymëmarrjes dhe bllokim kraharori. Për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësore, 16 persona u transferuan në klinikën toksikologjike në Shkup, ndërsa u lëshuan në mjekim shtëpiak mëngjesin e ardhshëm me kërkesë të tyren. Benjamin Arifi