ADDIS ABEBA- Një avion i linjës Ethiopian Airlines, ka bërë një ulje të detyruar në Gjenevë, pas një rrëmbimi.
Avioni ishte nisur nga Addis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë dhe pritej të ulej në Romë, në Itali, rreth orës 4.40 minuta të mëngjesit të së hënës. Fluturimi ET702, është ulur në Gjenevë rreth orës 6.20 minuta dhe të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi e kanë braktisur avionin.
Skynews thotë se rrëmbyesi ishte bashkëpiloti i avionit, shtetas nga Etiopia i cili kishte marrë kontrollin e avionit në momentin kur piloti kishte shkuar në banjo.
Pasi ka zbritur avionin, rrëmbyesi ka përdorur një litar për të zbritur nga dritarja e kabinës dhe më pas është dorëzuar duke kërkuar azil politik.
Piloti i avionit boeing 767, ka lëshuar alarmin se avioni ishte marrë peng, ndërsa avioni ndodhej në hapësirën ajrore të Sudanit.
Flightradar24.com ka regjistruar në kohë reale lëvizjen e avioni që ka qëndruar gjatë në ajër. Në bordin e tij, gjendeshin më shumë se 200 persona dhe asnjëri prej tyre nuk është plagosur, apo lënduar. Kompania ajrore etiopiane, ka deklaruar se pasagjerët kanë marrë menjëherë ndihmën e parë nga mjekët dhe psikologët dhe janë në pritje të nisen drejt destinacionit ku ishin drejtuar. Ndërkohë Aroporti zvicerian do të qëndrojë i mbyllur deri në një urdhër të ri, për motive sigurie dhe disa fluturime janë anuluar.