DIBËR- Banorët e katër fshatrave të komunës Zerqan në rrethin e Bulqizës kanë protestuar kundër ndërtimit të një HEC-i në fshatin Valikardhë.
Qindra banorë të këtyre fshatrave kanë bllokuar për rreth një orë rrugën që të çon për në fshatin Valikardhë, pasi HEC-i do të përdorë si burim ujin e Liqenit të Zi, me të cilin banorët e fshatrave të komunës Zerqan vadisin tokat bujqësore.
Banorët shprehen të shqetësuar se,"jo vetëm që nuk janë pyetur për ndërtimin e HEC-it, por janë kërcënuar nga drejtuesit e PD dhe kryetari i saj, njëherësh edhe kreu i komunës së Zerqanit, Defrim Fiku".
Lidhur me këtë problem, banorët thonë se me anë të një peticioni të firmosur nga 150 kryefamiljarë, janë njoftuar edhe disa nga organet kompetente, si:prefektura e qarkut Dibër, Ministri i Mjedisit dhe i Bujqësisë, si dhe Kryeministri Rama.