A1 Report - Naço: Ndihme juridike falas per personat me aftesi te kufizuar

2015-08-21 2

TIRANË-Ministria e Drejtësisë organizon dhe krijon Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike, "si një institucion kryesor në garantimin e aksesit të qytetarëve, që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet gjyqësore".

Këtë gjë bëri të ditur sot Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, gjatë konferencës me temë "Aksesi në Drejtësi: Një fokus i ri për nenet 12 dhe 13 të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara".

Duke theksuar se Ministria që ai drejton "do të synojë ta ngrejë drejtësinë shqiptare drejt standardeve më të larta evropiane, duke u përpjekur maksimalisht që respektimi i të drejtave të personave në nevojë të përbëjë kryefjalën e reformave në përsosjen e këtij sistemi", ai foli më gjatë për këto pika.

Sipas Naços, "Përfshirja e personave me aftësi të kufizuar në kategorinë e subjekteve përftuese të këtij shërbimi ka qenë objekt i zbatimit të ligjit që garanton ofrimin e ndihmës juridike falas".

KLINIKA LIGJORE TË SPECIALIZUARA PËR TË NDIHMUAR SHTRESAT NË NEVOJË
Aktualisht, sipas Ministrit të Drejtësisë, "përbën prioritet ngritja dhe funksionimi me eficencë të plotë në nivel lokal i Klinikave Ligjore të specializuara në ofrimin e ndihmës juridike, me qëllim ardhjen në ndihmë të shtresave në nevojë që nuk kanë mundësi ekonomike, por edhe fizike apo sociale të përballojnë distancën e vendbanimit të tyre me zyrat e komisionit në Tiranë".

Sipas tij, "garantimi i aksesit në drejtësi, ndikon drejtpërdrejtë në rritjen dhe forcimin e transparencës, përgjegjshmërisë, paanësisë dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë, në mbështetje të rolit deçiziv të qytetarëve dhe të të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus të veçantë aksesin e personave me aftësi të kufizuar."

"Ndërmarrja e nismave ligjore dhe administrative me objekt sigurimin e respektimit të standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabartë në një drejtësi për të gjithë dhe me të gjithë, duhet të përbëjë qëllimin e punës së të gjitha institucioneve në nivel vendimmarrje dhe ligjzbatuese", vijoi Naço.
Sipas tij, "Në kuadrin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, e drejta për t'iu drejtuar gjykatës, pra aksesi në gjykatë, konsiderohet si një e drejtë thelbësorë që duhet t'i sigurohet çdo individi pa asnjë lloj dallimi, e në veçanti atyre që janë me aftësi të kufizuar. Nëse nuk garantohet e drejta për t'iu drejtuar gjykatës atëherë cënohet dhe e drejta për të ngritur pretendime civile, apo për të kundërshtuar akuzën para një gjykate, apo edhe për të ekzekutuar vendimet gjyqësore".

"Në më të shumtën e rasteve të gjykuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, objekt i çështjeve kanë qenë pikërisht barrierat që institucionet i vendosin qytetarëve në aksesin e tyre për të marrë pjesë aktivisht në procese vendimmarrëse që lidhen drejtpërdrejtë me ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese", shtoi Ministri Naço.