Kosovë-Maqedoni, të thellohet bashkëpunimi

2015-08-21 0

Gjatë viteve të njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe bashkëpunimit me Maqedoninë, duhet të ishte bërë më shumë..Ambasadori i Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa thekson se Shkupi Zyrtar duhet të gjejë më shumë kurajo në realizimin e shumë projekteve, ashtu sic meritojnë dy vende fqinje dhe partnere ekonomike. Analistët nga ana tjetër,thonë gjithashtu se dy vendet duhet të ndërtojnë ura më të fuqishme, drejt forcimit të klimës së sigurisë dhe asaj ekonomike dhe të mirëqenies në Ballkan.

"Ne shpresojmë se pala maqedonase do të gjejë kurajë për të shqyrtuar mundësinë që së paku këto 13 kilometra që mbeten nga pika kufitare deri te unaza e Shkupit... të gjejë një mënyrë që ta kryejë këtë aspekt që kjo rrugë te jetë e kompletuar siç jemi të gatshëm dhe të gëzuar që pika tjetër kufitare u hap në Stançiq dhe Bellanocë. Këtu është përmendur edhe kalimi i kufirit me letërnjoftime një proces i cili ka ndodhur.... Ne po e arrijmë këtë detyrë dhe shpresojmë që pas zgjedhjeve në Maqedoni që edhe kjo pikë të jetë në rend të ditës", u shpreh Ylber Hysa, Ambasador i Kosovës në Maqedoni.

Analistët thonë se Maqedonia ende nuk është çlirtuar nga ndjenjat e kaluara, influenca e Serbisë, ndaj edhe nuk mund të dalë nga kllapat për të ofruar një qasje korrekte ndaj Kosovës. Bashkëpunimin ekonomik, në këto marrëdhënie, e rëndon edhe fakti që Kosova nuk është ende pjesë e CEFTA-s dhe nuk ka firmosur MSA-në.

"Sigurisht nën impresionin e së kaluarës dhe duke dashur të mos bie në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Beogradit, nën atë impresion autoritet e Maqedonisë shpesh herë bëjnë gabime siç ishte mos ftesa e presidentes Jahjaga në Samitin e vitit të kaluar.. fakti që qeveria e Maqedonisë ende nuk ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës siç ishte rasti me Serbinë, Bullgarinë, flasin se Maqedonia heziton të ndërtojë marrëdhënie të mira reciproke dhe të interesit bilateral me Kosovën", theksoi Naser Zyberi, analist.

"Statistikat tona nga viti 2009 tregojnë se për të gjitha ato vite deri më sot nuk ka ndonjë ndryshim të madh për sa i përket shkëmbimit tregtar për gjithë këtë periudhë. Nga ana jonë dominon eksporti edhe atë në debalans të madh tregtar në raport me Kosovën. Shkëmbimi ynë është rreth 300 milion dollarë, ndërkaq importi ynë filloi nga 9 milion dollarë dhe përfunduam me 29 milion dollarë vitin e kaluar", tha Lubica Nuri, Oda ekonomike e Maqedonisë.

Nga Kosova janë shprehur të gatshëm edhe për mbledhjen e përbashkët qeveritare, si gurthermelin e parë të thellimit të bashkëpunimit mes vendeve, si dhe të pranimit të njëra tjetrës, si fqinje dhe partnerë të afër. Semra Jakupi