Presidencialet, thellohet hendeku mes partnerëve të koalicionit

2015-08-21 2

Kandidati presidencial i VMRO DPMNE-së duhet të jetë anëtar ose përkrahës i VMRO-së dhe të ketë qëndrimet e njëjta me partinë e Gruevskit rreth interesit shtetëror. Thënë troç, VMRO-ja nuk është e interesuar për konsensus me BDI-në rreth kandidatit presidencial, ofertë për të cilën tashmë kohë të gjatë po angazhohet partia e Ahmetit. Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE thotë se kandidat konsensual mund të ketë vetëm nëse kandidati i zgjedhur nga 1300 delegatët e VMRO-së është i pranueshëm edhe për Ahmetin.

"Kriteret tashmë janë bërë publike. Kandidati duhet të plotësojë kushtet kushtetuese për kryerjen e detyrës së presidentin, të jenë anëtarë të VMRO DPMNE-së ose përkrahës të politikave partiake dhe të gjejnë vetën në qëndrimet e VMRO DPMNE-së për çështjet në interes shtetëror dhe kombëtar", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Duke komentuar kërcënimin e BDI-së për bojkot të zgjedhjeve presidenciale nëse nuk pranohet kandidati konsensual, Dimovski tha se beson që pavarësisht apeleve partiake, qytetarët nuk do të lejojnë një skenar të tillë.

"Ne besojmë në qytetarët e Maqedonisë, besojmë në vetëdijen e tyre për funksionalitetin e institucioneve të cilat vlejnë në Maqedoni. Besoj se qytetarët do të dinë ta njohin momentin, dhe nuk do të lejojnë të ndodh një skenar i tillë i padëshiruar", tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Nga VMRO-ja thonë gjithashtu se janë të gatshëm edhe për zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse ndonjë subjekt politik i shtron në tavolinë si alternativë të mundshme. Ndryshe, konventa zgjedhore për zgjedhjen e kandidatit presidencial të VMRO-së do të mbahet më 1 mars në Sallën Universale, ndërsa paraqitja e kandidaturave fillon që nesër. Benjamin Arifi