TIRANE- Andon Mëhillaj ka tentuar të vetëvritet duke prerë damarët e dorës. Ngjarja ka ndodhur në qelitë e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës më 13 shkurt 2014. Pikërisht ditën kur Mëhillaj u transferua në Tiranë nga policia e Vlorës ku u vetëdorëzua po atë ditë.
Si mjet prerës Mëhillaj ka përdorur pjesë të krevatit të qelisë. Lajmi i mbajtur i fshehtë edhe në seancën e vlerësimit të masës së arrestit në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zbulua pas krizës mendore që pësoi pasditen e djeshme më 15 shkurt në qelitë e paraburgimit të burgut 302.
I akuzuari si ndërmjetësi mes porositësve dhe dy vrasësve me pagesë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokonaj në realizimin e atententave, Mëhillaj u vetëdorëzua katër ditë më parë në Policinë e Vlorës.
Sipas pretendimeve, rreth orës 16:00 të 15 shkurtit Mëhillaj është përfshirë nga kriza dhe ka kërkuar të takohej me familjarët.
Në pamundësi të mbërritjes së tyre, në burgun 302 ka mbërritur avokati mbrojtës, i cili nuk është lejuar të futet brenda me preteksin se ndodhej jashtë orarit zyrtar të vizitave dhe për mungesë të një vërtetimi ng Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gjëndja psikologjike dhe shëndeti mendor janë alibija më e fortë e mbrojtjes në procesin ndaj Mëhillajt.
Mëhillaj është personi i pestë i arrestuar për atentatatet e kryera kryesisht me eksploziv i vrasësve me pagesë.
Ai akuzohet si ndërmjetësi në ekzekutimin e peshkatarit Sokol Veizaj në Vlorë, në vrasjen kundrejt një pagese 35 mijë euro për biznesmenin Agron Çela, në shpërthimin në banesën e zyrtarit të PD në Vlorë Ardian Kollozi, në vendosjen e bombës me celular në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, në plagosjen e Julian Metushit, në porositjen e një atentati të mbetur në tentativë për 120 mijë euro ndaj biznesmenit Piro Bare, si edhe në dy raste të tjera të vendosjes së ekslozivëve.
Në pranga për të njëjtin grup janë dy vrasësit me pagesë Ndriçim Gjokona, Julian Sinanaj, Marjon Mitro dhe Ilir Karçini.