TIRANE- Të enjten më 20 shkurt ora 14:00 Kryetari i PD-së Lulzim Basha fton të gjithë qytetarët në marshimin e madh të protestës popullore që do të zhvillohet në sheshin "Skënderbej" kundër mashtrimeve të Ramës e Metës.
"Të enjten në orën 14:00 në 23 vjetorin e rrëzimit të Enver Hoxhës kemi thirrur në Tiranë marshimin e madh të protestës popullore kundër mashtrimeve të Ramës e Metës," tha kreu i PD-së Lulzim Basha në takimin që zhvilloi sot paradite me aktivistët e PD-së në Teatrin e Operas dhe Baletit.
"Kush kërkon të mësojë dhe të kuptojë se përse po bëhet keq e më keq çdo ditë e çdo jave me këtë qeveri përgjigjen e gjen te mashtrimet qeveritare dhe dështimet e saj. Të gjithë në sheshin e historisë për të dëshmuar se dinjitetit dhe krenaria që ngriti në këmbë shqiptarët 23 vite më parë nuk janë në gjumë por të gjalllë dhe garancia se populli nuk mund të luhet e nëpërkëmbet. Të gjithë në sheshin e historisë që nga ata të 23 viteve më parë dhe deri ata 23 vjeçarët e sotëm që nuk mund ta falin lirinë për asnjë çmim. Të gjithë për t'i përcjellë me zërin e fuqishëm të bashkimit qeverisë Rama-Meta, mesazhin dhe paralajmërimin se paligjshmëria, arbitrariteti, mashtrimet dhe papërgjegjshmëria, shartime të sistemit enverist totalitar në demokraci; ne i refuzojmë prerë dhe me neveri. " nënvizoi Basha.
Kryetari i PD-së shtoi se fakti që një numër të rinjsh i janë bashkuar PD-së pavarësisht se kjo parti në këto momente nuk është në pushtet dhe nuk jemi afër zgjedhjeve të shpallura, tregon se nuk është parti numrash por e lirisë.
"Një numër gjithmonë e më i madh të rinjsh kanë vendosur të bëhen anëtarë të PD-së dhe të kontribuojnë për lirinë e demokracinë. Ne nuk jemi parti e numrave por e partisë së lirë." tha Basha.