SARANDË- Fatjona Keco, 22 vjeçarja e rritur në shtëpinë e fëmijës në Sarandë, në të cilën qëndron ende pas një martese të dështuar, rrezikon të mbyllet në një qendër handikapatësh në qytetin e Durrësit.
Kjo për shkak të vendimit të drejtoreshës së shtëpisë së fëmijës së qytetit bregdetar, Adriana Kushta, për ta larguar që aty.
Nga komisioni mjeko-ligjor, 22 vjeçarja rezulton me një prapambetje të lehtë mendore, e mbështetur me një pension të kategorisë së parë 9 mijë lekë në muaj.
Kjo diagnozë nuk e ka penuar megjithatë Fatjonën të punojë dhe të jetojë për 15 vite në qendrën e jetimëve në Sarandë. Për të gjithçka ndryshoi pas një martese të imponuar nga drejtorja e strehës së jetimëve.
Kamera e "A1 Report" ka shkuar në Delvinë, në familjen ku morën nuse Fatjonën, ku komshinjtë e saj pohojnë se "22 vjeçarja kishte një sjellje normale".Të njëtin mendim ndan edhe vjehrra e Fatjonës , e cila ndër të tjera pranon se djali i saj, njëkohësisht bashkëshorti i Fatjonës, "kishte kriza epileptike të shpeshta, të cilat Fatjona nuk i përballonte dot". E moshuara, ndër të tjera pranon se mblesëria për martesën e Fatjonës është bërë me ndërhyrjen e drejtoreshës, e cila pas ndarjes, refuzoi ta pranonte Fatjonën në shtëpinë e fëmijës.
Fatjona, aktualisht ndodhet e mbyllur në qendrën e shtëpisë së fëmijës në Sarandë, ndërsa mësohet se ajo mbahet në një dhomë, e izoluar në pritje për t'u nisur drejt qendrës së handikapatëve në Durrës.
Abuzimi karshi 22 vjeçares mësohet se ka nisur pesë vite më parë, kur Fatjona ra pre e dhunës seksuale dhe mbeti shtatzënë. Pasi Fatjona lindi, drejtuesit e atëhershëm të maternitetit, ia dhanë foshnjën për birësim një çifti anglezësh.
Fatjona Keco e lindi fëmijën në Tiranë, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale pa vullnetin e saj, në organet gjenitale. Lidhur me këtë ngjarje, në policinë e Sarandës nuk ka asnjë denoncim nga ana e drejtuesve të jetimores.
Pesë vite më pas, nga martesa 3-mujore e ngjizur me mblesëri me një person të papërshtatshëm për të, Fatjona ngjiz një foshnjë, të cilën e abortoi pak ditë më parë nën presion. Vendimi për abort u mor nga vjehrra e Fatjonës pas bisedave me drejtoren Adriana Kushta, në banesën e familjes Hoxha. Pas kësaj, Fatjona Keco u la në portën e shtëpisë së jetimëve, ku u ristrehua nga policia, pasi nuk e pranonin më.
Për momentin, 22- vjeçarja tani është në mëshirë të fatit dhe vendimeve të instancave zyrtare.