Qyteti i Shkupit vazhdon të mos respektojë dygjuhësinë

2015-08-21 1

Qyteti i Shkupit nuk respekton ligjin për përdorim të gjuhës shqipe. Këtë e dëshmojnë edhe 3 urat kryesore në qendër të qytetit, ku nuk pamë asnjë tabelë me mbishkrim shqip. ALSAT kërkoi përgjegjësi nga Qyteti i Shkupit, por autoritetet kompetente kthyen përgjigje me shkrim, se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare e Qytetit të Shkupit. Sipas zëdhënësit Nedellço Kërstevski, komunat që duhet ta respektojë ligjin për përdorimin e Shqipës, janë vetëm Çairi, Shuto Orizarja dhe Saraji.

"Në bazë të nenit 7, paragrafi 2 të Ligjit për emërtim rrugës, sheshesh, urash dhe objektesh të tjera infrastrukturore "në komunën në të cilën ka të paktën 20% të qytetarëve që përdorin gjuhë tjetër nga ajo maqedonase, emri i rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, përveç maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik, shkruhen edhe në gjuhën dhe alfabetin që përdor popullata mbi 20% e asaj komune. Komuna të tilla në Qytetin e Shkupit janë ajo e Çairit, Komuna e Sarajit dhe Shuto Orizares", thuhet nw përgjigjen e Kwrstevskit.

Por, Qyteti i Shkupit, në këtë argumentim, nuk merr parasysh se numri i shqiptarëve në rang qyteti është më tepër se 20% të popullatës, ku gjuha shqipe duhet të jetë zyrtarisht gjuhë e dytë, dhe të implementohet në të gjitha institucionet publike.

"Edhe kjo tabelë që po shihni është një ndër dhjetëra të tjera të cilat po shkelin ligjin për gjuhën. Në të është shkruar emri vetëm në gjuhën maqedonase dhe nuk reflekton aspak komunitetin tjetër më të madh në kryeqytet"

Ura "Goce Dellçev" gjendet rrugës për në qeveri. Këtu kohë më parë, pikërisht para rinovimit të saj ekzistonte një tabelë akoma edhe më e madhe, në maqedonisht. Tabela e re sërish nuk mori parasysh ligjin për përdorimin e gjuhës. E njëjta shkelje edhe në urat "Nënë Tereza" që fillon nga Vero 2 deri tek Akademia e Shkencave dhe Arteve, si dhe urën tjetër "Liria" nga hoteli "Holiday Inn" për tek Ministria e Jashtme. Për shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve parashikohen dënime deri në 5 vjet burg, në bazë të nenit 138 të Kodit Penal, i cili thotë;

Paragrafi 1 -- "Ai që do t'ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimin, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.

Paragrafi 2 - Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet". Ferikan Iljazi