Houit: Të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje

2015-08-21 2

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit i dërgon porosi të qartë partive politike. Bashkimi Evropian nuk mbështet bojkotin e zgjedhjeve. Ndonëse pa precizuar se cilit subjekt politik ia drejtoi mesazhin, Houit tha se shpreson që porositë e tij nuk do të bien në vesh të shurdhër.

"Parlamenti Evropian dhe grupi ynë në Parlamentin Evropian, asnjëherë nuk mbështet bojkot zgjedhjesh... Na pyesin se çfarë mendojmë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, varësisht nga kandidatët që do zgjidhen. Unë nuk mund t'ju them partive publikisht se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo, sepse jam i sigurt se kjo do të përdoret nga politika e brendshme. Madje, ky nuk është pozicioni që dëshiron të marrë as Parlamenti apo Bashkimit Evropian..Por kur themi se ne dëshirojmë që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje, shpresoj se kjo porosi do të merret seriozisht", deklaroi Riçard Houit, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Përveç kësaj, Houit në konferencën e stome të social demokratëve përsëriti domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve demokratike dhe sundimin e të drejtës. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se Maqedonia në 8 vitet e fundit është shndërruar në një shoqëri të përçarë, si asnjëherë më parë, në të cilën partia dhe libreza partiake diktojnë gjithçka në shtet.

"Sot Maqedonia është një shtet që fundoset në errësirën mediatike, ballafaqohet me institucione jo funksionale dhe jo demokratike,proces jo efikas demokratik, drejtësi dhe sistem gjyqësor të orkestruar nga partia", tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Hanes Svoboda, Kryetar i grupit të social demokratëve në PE, porositi se për progres nuk janë të mjaftueshme fjalët, por veprimet konkrete.

"Disa në këtë shtet, të cilët nuk janë të pranishëm në këtë dhomë, sepse ata nuk janë miqtë tanë politikë, duket se e gjejnë veten shumë mirë në këtë situatë. Kjo është e papranueshme. Fjalët duhet të ndiqen nga veprat. Tjetër gjë të ndërtoni një statujë, e tjetër gjë të përmbushni reformat e duhura në gjykata, për lirinë e mediave, dhe të respektoni rezultatet e zgjedhjeve jo vetëm në nivel kombëtar por edhe lokal", u shpreh Hanes Svoboda, Kryetar i grupit të social demokratëve në PE.

Svoboda gjithashtu shprehu optimizmin se vizita e ministrit të Jashtëm grek Venizelos ka për t'u shfrytëzuar nga Maqedonia, që vendi gjatë Presidencës greke të mund të bëjë hapa përpara drejt fillimit të procesit të negociatave për anëtarësim. Semra Jakupi