Ende asnjë vendim nga BDI, presin përgjigjen e VMRO-së

2015-08-21 0

Asnjë vendim nuk është marrë as në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë së BDI-së. Partia e Ahmetit ka vendosur të presë edhe pak kohë një përgjigje zyrtare të VMRO-së rreth idesë për kandidat konsensual. Është diskutuar edhe mospjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale dhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por marrja e ndonjë vendimi është lënë për mbledhjet e ardhshme. Ndërkohë në emisionin e mbrëmshëm "Rruga Drejt", zv/kryeministri Musa Xhaferi heshtjen e VMRO-së rreth kandidatit konsensual e ka quajtur frikë dhe hezitim për tu përballur me idenë.

"Deri tash, nuk ka argumente të mjaftueshme, kundër argumente në adresë të BDI-së për modelin. Hezitimi, frika, distancimi për tu ballafaquar me këtë model, është krejt diçka tjetër dhe është përgjegjësi e subjekteve që hezitojnë ta hapin këtë debat. Por, ne dëshirojmë ti dëgjojmë argumentet kundër dhe për", tha Musa Xhaferi, zv/kryeministër.

Profesori Rizvan Sulejmani vlerësoi se presidenti është ndër pozitat më të rëndësishme në vend, dhe pavarësisht çfarë thuhet në opinion, ai gëzon shumë kompetenca vitale.

"Themi se kryetari nuk ka pushtet, ja kemi mund ne me kryetar siç është ky aktual, dhe asgjë nuk e ka gjetur Maqedoninë. Jo, e ka gjetur. Një kryetar ka shumë ingerenca në Maqedoni, dhe këtë shumë pak e potencojmë. Kryetari i shtetit në Maqedoni ka të drejtë ekskluzive të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare pa ratifikim", deklaroi Rizvan Sulejmani, Profesor universitar.

Sa u përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Xhaferi tha se ato janë gjithmonë në tavolinë nëse paraqitet ngërç politik mes partnerëve të koalicionit. Por, partneri i Gruevskit në koalicion Pavle Trajanov theksoi se tani për tani nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Në Maqedoni nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ato mund të ndodhin çdoherë nëse arrihet marrëveshje mes partive të koalicionit qeveritar, por tani për tani nuk ka arsye. Duhet të ketë ndonjë arsyetim serioz, sepse vështirë se do ti motivojmë qytetarët nëse tërë kohën shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Qytetarët i kanë dhënë mandat 4 vjeçar VMRO-së, BDI-së dhe partive të tjera, dhe këtë mandat duhet ta çojnë deri në fund", tha Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike.

Ideja e BDI-së për kandidat konsensual edhe sot nuk është komentuar nga zyrtarët e VMRO-së. Partia e Gruevskit vazhdon të këmbëngul se kandidati i tyre presidencial do të jetë reflektim i vullnetit vetëm të delegatëve të VMRO-së, në konventën zgjedhore të 1 marsit. Benjamin Arifi