A1 Report - Nis greva 24 oreshe, paralizohet transporti urban ne Tirana

2015-08-21 25

TIRANE- Transporti publik është paralizuar sot në Tiranë. Asnjë autobus i linjave urbane që funksionon nëpër rrugët e kryeqytetit nuk ka nisur itinerarin e përditshëm të lëvizjes duke filluar grevën 24 orëshe që Sindikata e Transportit Urban kishte paralajmëruar para disa ditësh. Shkak është mospagimi i drejtuesve të autobusëve dhe fatorinove nga shoqëritë e transporteve.

Transporti urban është paralizuar që prej orës 05:00 të mëngjesit.

Sot në mëngjes të gjitha linjat e autobusëve të licensuara nga bashkia e Tiranës nuk kanë nisur punën.

Sot në mëngjes në stacionet e urbanëve të Unazës, Tirana e Re, Qendër- Qytet Studenti, Kombinat- Kinostudio, Qendër-Ish Uzina e autotraktorëve, Qendër- Tufinë, Qendër-Porcelan, Qendër-Laprakë, Qendër- Linzë nuk ka pasur qytetarë. Ndërkohë që ndonjë tek tuk që i drejtohej stacioneve informohej nga kalimtarë të tjerë se ishte e kotë të priste pasi nuk kishte autobusë.

Kryeqytetasit që kishin mësuar më parë për grevën e urbanëve kanë nxjerrë nga garazhi makanat, kanë përdorur taksi ose janë nisur më shpejt nga banesa për të bërë rrugën në këmbë për në destinacionin e tyre.

SOT NË MESDITË, TAKIM NË MINISTRIN E TRANSPORTEVE PËR GJETJEN E NJË ZGJIDHJE
Sot në orët e mesditës është parashikuar një takim në Ministrinë e Transporteve, mes drejtueseve të kësaj ministrie dhe drejtuesve të Shoqatës dhe Sindikatës së Transporit urban. Ky takim do të mbahet me qëllim gjetjen e një zgjidhje të mundshme.

Greva e sotme është është e para që zgjat 24 orë, ndërsa para kësaj janë zhvilluar edhe dy greva të tjera me kohëzgjatje më të shkurtër. Shoqëritë e transporteve kërkojnë rritjen e biletës nga 30 në 70 lekë.

Dje numri dy i bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, ka përsëritur qëndrimin ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave operatorëve të transportit publik për subvencionim dhe jo rritje të çmimit. "Deri më sot nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga institucionet përkatëse për problematikën e transportit urban. Qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të mos dëgjojë problematikën e bërë prezente tashmë prej muajsh", thotë Bozdo. Por nëse do të rritet ose jo çmimi i biletës, këtë tashme do ta vendosë pushteti vendor dhe jo qeveria. Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se këtë kompetence qeveria do ti`a delegojë pushtetit vendor dhe për rastin konkret Bashkisë së Tiranës.

"Nuk mundet dot që gjithë procesin e vendimmarrjes për natyrën e atij shërbimi, bashkiak apo me operatorë privatë, ta ketë bashka dhe pastaj çmimin e biletës ta përcaktojë qeveria. Ka qenë e padrejtë atëherë, e kemi kërkuar atëherë,e mbanit ju peng por sot ne do ta çlirojmë dhe çdo bashko do të marrë vendimin e vet" ka pohuar Rama. Pas miratimit të ligjit të ri, do të jetë Bashkia e Tiranës, por jo vetëm ajo që do të përcaktojë politikën e re me operatorët e transportit publik dhe çmimin e biletës.