LSDM: Qeveria ka shkelur Kodin zgjedhor

2015-08-21 0

LSDM-ja opozitare ka kërkuar sot nga Komisioni Anti-Korrupsion që të ngrejë procedurë për shkeljen e Kodit Zgjedhor nga qeveria, me aktivitetet e fundit reklamuese të saj. Sipas nënkryetares së LSDM-së Frosina Remenki, Komisioni Anti-Korrupsion është përgjegjës për zbatimin e masave për parandalimin e korrupsionit gjatë ushtrimit të pushtetit, veçanërisht gjatë periudhës në prag të zgjedhjeve. Nga partia e Zaevit nënvizuan se, për proces të lirë dhe demokratik zgjedhor, nuk mjafton vetëm miratimi i ndryshimeve me konsensus në Kodin Zgjedhor, por edhe respektimi i drejtë i tyre.

"LSDM-ja kërkon nga Komisioni që të veprojë dhe të japë përgjigje nëse intensifikimi i aktiviteteve të Gruevskit dhe pushtetit në terren ka qenë i parashikuar në programin qeveritar, dhe kur ka qenë parashikuar realizimi faktik i tyre...LSDM-ja do të kërkojë përgjegjësi për mosveprim të Komisionit Anti-Korrupsion, për mos-përmbushje të obligimeve të tij ligjore", u shpreh Frosina Remenski, nënkryetare e LSDM-së.

Ka reaguar VMRO-DPMNE duke nënvizuar se ajo vazhdimisht është pranë qytetarëve për të përmbushur premtimet dhe kërkesat e tyre.

"Falënderojmë LSDM-në që po i kujton qytetarët, dhe që pranon se VMRO DPMNE-ja çdo ditë realizon projekte, siç janë ujësjellësit, kanalizimet, rrugët, rindërtimi i objekteve, spitaleve, shkollave, ambulancave dhe objekteve sportive. Këtë punë e bëjmë prej vitesh, vazhdimisht, dhe jo vetëm para zgjedhjeve", thuhet në reagimin e VMRO-së.
Partia e Gruevskit tha se tek reagimi jo i drejtë i LSDM-së shohin alibi për dështimin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, eventualisht edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Bedri Rexhallari

Easy Viral Banner Traffic