TIRANE- Kompania "Albademil" që ishte përfshirë në procesin e demontimit të predhave në Gërdec dhe që administrohet nga biznesmeni Mihal Delijorgji, dënohet nga gjykata e Tiranës me 3.48 milionë lekë (të reja) dëshmpërblim ndaj shtetasit Sadik Sula, ish-punëtor në punishten e demontimit të municioneve.
Vendimi është marrë në datën 7 Shkurt të këtij viti nga gjyqtari Ervin Pollozhani. Sipas vendimit të gjykatës rezulton se Sula ditën e 15 Marsit 2008 është paraqitur në punë. Pasi ka parkuar makinën e tij në oborrin e punishtes, ai kishte filluar punën si zakonisht.
Më pas është provokuar dhe shpërthimi i fuqishëm, i cili i solli paditësit Sula djegien në mbi 20 për qind të trupit dhe djegies së plotë të automjetit të tij tip "Benz" me targë TR 6420 I.
Nisur nga këto kushte, gjykata vendosi të dëmshpërblejë paditësin me 34.8 milion lekë të vjetra për dëmtimin e makinës dhe dëmtimin biologjik të trupit nga djegiet e marra në ngjarjen e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona. Për këtë ngjarje, Delijorgji u dënua me 6 vite burg nga gjykata e Apelit.
EKSPERTIMI BIOLOGJIK
Sipas përshkrimit të aktit të ekspertimit referuar dhe provave shkresore-mjekësore provohet se: Referuar kartelës klinke Nr. 533438 të spitalit të djegie-plastikës, rezulton se i dëmtuari Sadik Sula është shtruar me diagnozë shtrimi "djegie të ekstremiteteve të sipërme, të poshtme, të mollaqeve, të kokës, të shkallës II-III në 20% të siperfaqes trupore, dëmtimet këto që kanë ardhur nga flakë baruti në eksplozion".
Siç rezulton me tej nga administrimi në gjykim i aktit të ekspertimit të hartuar nga eksperti i dëmeve shëndetësore Anesti Vako, vlera monetare e dëmit pasuror që ka pësuar paditësi, për shkak të pakësimit të të ardhurave si rezultat i të qenurit person i paaftë për punë në mënyrë të përhershme në masën 25 për qind, janë llogaritur sipas formulës standarde, duke pëcaktuar shumën prej 3. 010. 647 lekë të reja.
DEMI PER MAKINEN
Në lidhje me kërkimin e vlerës së dëmit material për mjetin e tij, gjykata çmoi të bëntë vlerësimin e dëmit të shkaktuar për shkak të shkatërrimit plotësisht të këtij mjeti. Nëpërmjet aktit të ekspertimit të bërë nga eksperti vlerësues i dëmeve materiale, Artur Sulçe, në bazë të të dhënave të mjetit të marra nga policia e sigurimit, Nr. 39 dt. 13 Gusht 2007 të shoqërisë "Sigal" sh.a. sipas çmimit të tregut të mjetit, në kohën e ndodhjes së ngjarjes është në masën 480.000 lek të reja, dëm ky që i duhet paguar paditësit nga pala e paditur, shkaktare e këtij dëmi.