TIRANË- Shkarkohet nga detyra drejtori i shoqërisë së sigurimeve "INSIG", Tomorr Kalaja. Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë ka marrë vendimin për shkarkimin nga puna të drejtorit Kalaja, për shkak të rritjes së menjëhershme të pagesës së sigurimit TPL për automjetet.
Të mërkurën deputeti socialist, Erjon Braçe kërkoi sqarime dhe hetime për kartelin në Sigurime, ku është përfshirë edhe kompaninë e sigurimeve "INSIG".
Shkarkimi i drejtorit Kalaja ka ardhur pas vendimit të paparalajmëruar për çmimin e siguracionit të automjeteve. Drejtori i "INSIG" nuk është konsultuar me Këshillin Mbikëqyrës për rritjen e çmimit.
Siç është bërë e ditur, të gjitha kompanitë e sigurimit brenda një dite të vetme kanë rritur tarifën e pagesës së sigurimit të detyrueshëm TPL për automjetet e zakonshme me 6 mijë lekë.
ORA 20:30 SHOQATA E SIGURUESVE TË SHQIPËRISË SQARON RRITJEN E TPL-SË
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka sqaruar rritjen e TPL-së, duke e lidhur me rritjen e numrit të aksidenteve. Sipas Shoqatës së Siguruesve përllogaritja e TPL-së është atribut ligjor i kompanisë, dhe sqaron se rritja është ndikuar nga rritja e numrit të mjeteve që qarkullojnë. Shkak për rritjen e tarifave të sigurimit të mjeteve, sipas Shoqatës janë bërë edhe abuzimet me dokumentimin e shërbimit teknik të mjeteve, si dhe rritja artificiale e vlerave dëmshpërblyese me vendime gjyqësore.
"Rritja e TPL-së ka ardhur si pasojë e rritjes së aksidenteve. Po ashtu edhe si pasojë e rritjes së mjeteve që qarkullojnë. Rritja ka ardhur edhe si pasojë e shërbimit teknik të mjete, shpesh abuziv, si pasojë e infrastrukturës, jo në standardet e kërkuara; si dhe për shkak të rritjes së mjeteve të pasiguruara. Fondi i kompensimit financohet nga kompanitë e sigurimit për dëmshpërblimin e palëve të treta. Po kështu, janë rritur artificialisht vlerat dëmshpërblyese me vendime gjyqësore", thuhet në njoftimin e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.