TURQI- Turqia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë së bashku në fushën e industrisë ushtarake. Turqia do të përkrahë Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe do të bëhen investime sidomos në Aeroportin e Kuçovës apo në Bazën e Pashalimanit.
Ky fakt u bë i ditur në takimin që Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka pasur në Turqi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Armate Necdet Ozel, gjatë vizitës dyditore të saj në Ankara, që po bëhet me ftesë të homologut të saj, ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz.
Ministrja Kodheli e njohu homologun e saj edhe me rolin e Shqipërisë në çështjet rajonale. Ajo është ndalur edhe tek mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë dhe shprehu bindjen se "një mbledhje e tillë edhe me qeverinë turke do t'i shërbente jo vetëm dy vendeve tona, por mbarë rajonit".
Në këto takime, Kodheli kërkoi të gjenden mundësi bashkëpunimi, "sidomos në fushën e industrisë ushtarake", duke theksuar se "Shqipëria duhet të mbajë patjetër në funksion Uzinën e Poliçanit, Mjekësit apo të Gramshit, si të vetmen mundësi ekonomike për banorët e këtyre zonave".
Gjenerali Ozel ka nënvizuar fort vullnetin e FA të Turqisë për ta mbështetur FA të Shqipërisë në të gjitha nevojëat e tyer.
Në takimin që ministrja Kodheli zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, z. Ismet Yilmaz u nënvizua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si dhe u diskutua për gjetjen e potencialeve për t'i çuar ato më tej. Ministri turk i Mbrojtjes tha se, "Turqia e shikon Shqipërinë si një partnere të rëndësishme dhe aleat të madh të saj".
Në këtë kontekst, në emër të qeverisë turke Yilmaz siguroi minstren Kodheli "për mbështetjen e padiskutueshme të Turqisë për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kanditatë për BE".
Më tej, dy zyrtarët e lartë, duke u ndalur tek marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona. Në këtë kuadër, në Turqi janë arsimuar dhe kualifikuar 2500 studentë ushtarakë shqiptarë që nga viti 1992 e në vazhdim, ndërsa aktualisht në këtë vend studjojnë 86 të tillë.
Më herët, ministrja e Mbrojtjes Kodheli vendosi një kurorë në Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut.