TIRANE- Nga Mitrovica në Sarandë, çdo shtetas i Republikës së Kosovës e Shqipërisë do të mund të punojë pa leje pune.
Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha njoftuan sot miratimin nga Këshilli i Ministrave të 17 marrëveshjeve që ndihmojnë lëvizjen e lirë të shtetasve të huaj që kanë dëshirë të vijnë të punojnë në Shqipëri.
Këto 17 marrëveshje janë pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së por dhe pararendje e liberalizimit të tregut të punës sidomos me Kosovën.
"17 marrëveshjet janë pararendje e liberalizimit të tregut të punës të cilën synojnë ta bëjnë edhe me Kosovën, pas mbledhjes së Prizrenit. Është lajm i mirë dhe projekt konkret i mbledhjes së Prizrenit" -- tha Veliaj duke shtuar se është ngritur një grup pune për çështjen e liberalizimit të tregut të punës.
Për ministren e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha "17 projekt vendimet janë një rëndësie të veçantë për të gjithë ata persona të shkollur si dhe për ata që kanë dëshirë të investojnë dhe të hapin vende punë në Shqipëri."
17 projekt vendimet kanë të bëjnë me kapituj 12 dhe 24 të progres-raportit ndërsa po punohet për të plotësuar 5 kriteret e kërkuara nga BE, si reforma në administratë, lufta anti-korrpsion, reforma në drejtësi.