Partitë taktizojnë rreth zgjedhjeve presidenciale

2015-08-21 0

Vazhdojnë të jenë të palëvizshme pozicionet e partive politike rreth kandidatëve presidencial. Kërcënimet e BDI-së për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale nëse nuk arrihet marrëveshje për kandidat konsensual, nuk e kanë hamendur aspak VMRO-në, e cila po vazhdon përgatitjet për konventën zgjedhore të 1 marsit. Ndërkohë që po bëhet gjithnjë e më e qartë se nuk do të ketë asnjë marrëveshje për kandidat konsensual, kryesia e BDI-së edhe mbrëmë është mbledhur në Reçicë të Vogël për të diskutuar rreth alternativave në një situatë të majorizimit të vullnetit të shqiptarëve. Mos pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është diskutuar seriozisht në kryesinë e BDI-së. Nuk është lënë anash edhe tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast se kandidati i njëanshëm i VMRO-së dhe bojkoti i BDI-së komplikojnë marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit qeveritar. Nga BDI-ja thonë se deri në fund të javës mund të priten edhe vendime konkrete nga kryesia lidhur me situatën aktuale politike.

Për zgjedhje të parakohshme po përgatitet edhe PDSH-ja, e cila gjithashtu ka thirrur mbledhje pune të kryesive të degëve dhe nëndegëve. Nga partia e Thaçit ende nuk ka asnjë vendim nëse do të marrin pjesë ne zgjedhjet presidenciale.

Mbrëmë është mbledhur edhe Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së opozitare, për të zgjedhur Oliver Spasovskin për shef të shtabit zgjedhor të LSDM-së në zgjedhjet presidenciale. Nga LSDM-ja po presin lëvizjet e partive qeverisëse para se të japin qëndrimet e tyre rreth zgjedhjeve të parakohshme. Për kandidatin presidencial, partia e Zaevit do të vendos në fund të muajit. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange