A1 Report - Meta me Gianni Pittella: Dialogu i rendesishem per integrimin

2015-08-21 0

TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pritur sot zv/presidentin e Parlamentit Evropian Gianni Pittella. Gjatë takimi, Meta i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Parlamentit Evropian ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë duke bërë një vlerësim të veçantë për rolin personal të Pittella në këtë drejtim.

Meta u shpreh se pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ritmi i reformave të nisura do të intensifikohet, ndërkohë që puna për përmbushjen e mëtejshme të rekomandimeve të Komisionit Evropian do të vazhdojë. Në këtë kuadër, Meta vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë i kushton vëmendje të veçantë dialogut konstruktiv politik dhe krijimit të hapësirave maksimale në funksion të kontributit të Opozitës.

Nga ana e tij, zv/presidenti i Parlamentit Evropian Gianni Pittella nënvizoi mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Evropian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të forcave pozitive në Bashkimin Evropian në funksion të avancimit të reformave në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Në fund të takimit, Meta dhe Pittella ndanë bindjen e përbashkët se avancimi i dialogut të nivelit të lartë mes Komisionit Evropian dhe qeverisë Shqiptare, është i rëndësishëm dhe se vullneti i të gjitha forcave politike për bashkëpunim është kyç për mbarëvajtjen e një klime konstruktive në vend.